Collector
Programi i imunizimit në Kosovë ka shënuar përparime të rëndësishme | Collector
Programi i imunizimit në Kosovë ka shënuar përparime të rëndësishme
Telegrafi

Programi i imunizimit në Kosovë ka shënuar përparime të rëndësishme

Vaksinat vlerësohen si një nga mënyrat më efektive për parandalimin dhe përhapjen e shumë sëmundjeve të rrezikshme. Shkalla e mbulueshmërisë së imunizimit në Kosovë mbetet e lartë, ndërsa vaksinimi vazhdon të jetë mënyra më e sigurt për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Nga viti 2024, programi i imunizimit në Kosovë vlerësohet se ka shënuar përparime të rëndësishme, përfshirë integrimin e suksesshëm të vaksinave të reja në kalendarin e rregullt të vaksinimit. “Vaksinimi i fëmijëve mbetet shtylla kryesore e shëndetit publik dhe një ndër ndërhyrjet më efektive për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse apo sëmundjet për të cilat i kemi vaksinat. Aktualisht, në kalendarin tonë i kemi 13 antigjene që janë në kalendar dhe i vaksinojmë fëmijët në vendin tonë. Është viti i tretë që ne i kemi përfshi edhe tri vaksinat e reja, atë kundër rotavirusit, pneumokokut dhe kundër Human Papilloma Virusit”, tha për RTK, Fetije Fetaj, drejtoreshë e Programit të Imunizimit, IKSHPK. Edhe në kryeqytet, ky proces mundësohet në shumë njësi të vaksinimit. “Ju e dini që Prishtina i ka 33 njësi, përfshi QKMF-në, mirëpo ne vaksinimin e bëjmë në 15 njësi ose ambulanta të qendrave të mjekësisë familjare, të cilat janë të shpërndara jo vetëm në kryeqytet, por edhe në fshatra. Kurse, sa i përket orarit, sa i përket HPV-së dhe vaksinave të tjera, bëhet nga ora 7 deri në 19:00”, tha Valdet Hashani, drejtor në QKMF-së, Prishtinë. Megjithatë, sfidë mbetet rënia e mbulueshmërisë me vaksinën kundër fruthit, shtytave dhe rubeolës, e cila rrit rrezikun për shpërthime të sëmundjeve.

Go to News Site