Telegrafi
Ndër vite papunësia ka qenë sfidë për Kosovën. Megjithatë, raportet dhe vlerësimet e fundit flasin për përmirësime në këtë drejtim. E këtu një rol të rëndësishëm ka luajtur teknologjia informative. “Në 2014-tën e kemi hapur me dy shokë një kompani për softuer. Unë kam qenë nga aspekti menaxherial, ata kanë qenë programerë. Më së shumti ia kam parë hajrin punës me zhvillimin e AI-së pasi përmes saj është hapur edhe një kompani me disa partnerë amerikanë, e pastaj ajo është blerë nga një kompani e madhe në Amerikë, ajo tani e ka zyrën këtu dhe i ka mbi 360 punëtorë. Vetëm gjatë vitit 2025, eksportet e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit nga Kosova arritën në 398.2 milionë euro apo 14% krahasuar me 2024-të”, ka thënë Drilon Jaha, drejtor i një kompanie, krijues i përmbajtjes digjitale. Që pas pandemisë, sektori i teknologjisë informative është zhvilluar shpejt, duke krijuar shumë mundësi të reja pune. Mbi 1 mijë kompani të sektorit të teknologjisë informative vlerësohet se operojnë në Kosovë. Ndërsa, mbi 11 mijë është numri i të punësuarve në këtë sektor. Të hyrat nga ky sektor luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Sektori i teknologjisë informative është njëri nga më të pagurit në Kosovë. Pagat ndryshojnë në varësi të përvojës. Paga e një seniori shkon në mbi 3 mijë euro. Edhe interesimi i të rinjve për t'u marrë me fushën e IT-së është i lartë. “Rritja vjen si pasojë që tregu i Kosovës nuk është më i varfër, është tregu evropian. Të rinjtë e Kosovës po i ofrojnë këto shërbime”, ka thënë Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Kompjuterike Nga 2020-ta, papunësia në Kosovë ka rënë ndjeshëm nga 25% në rreth 11%. “Statistikat zyrtare flasin që në Kosovë diku 450 mijë persona janë të punësuar, 72 mijë janë të papunë. Kur themi 72 mijë duhet ta kemi parasysh që janë vetëm personat që janë të regjistruar si të papunë, përkatësisht janë punëkërkues. Shteti këtë e merr si bazë. Më përqindje del relativisht e ulët. Rreth 11% i bie se janë të papunë krahasuar me ata që janë në tregun e punës....”, ka thënë Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP. Zhvillimi i sektorit të IT-së ka bërë që shumë të rinj të gjejnë punë me kushte të mira brenda vendit, pa pasur nevojë të emigrojnë./RTK
Go to News Site