Telegrafi
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha se çdo sulm ndaj vendeve të rajonit bëhet në vetëmbrojtje, duke shtuar se këto shtete strehojnë asete amerikane që mundësojnë sulme të mëtejshme të SHBA-së dhe Izraelit kundër Republikës Islamike. “Nuk ndiejmë armiqësi ndaj asnjë vendi të rajonit”, tha Baghaei për televizionin shtetëror iranian Press TV të hënën gjersa shtoi edhe se “e vetmja arsye pse kemi synuar territoret e tyre është thjesht sepse duhet të mbrohemi nga një agresion aktiv nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli”. “Dhe tani është një sekret i hapur që Shtetet e Bashkuara përdorën bazat e tyre ushtarake, asetet e tyre ushtarake, si dhe mbështetjen logjistike të ofruar nga disa prej këtyre vendeve për të vazhduar aktet e agresionit kundër Iranit”, tha zyrtari iranian. Lufta në Iran, tensione të reja në Lindjen e Mesme - GJITHÇKA, MINUTË PAS MINUTE “Prania ushtarake e SHBA-së në rajon është një barrë dhe nuk sjell asgjë tjetër përveç pasigurisë,” u citua të ketë thënë Baghaei nga Press TV, i cili shtoi se bazat ushtarake të Uashingtonit “kanë ekspozuar vazhdimisht vendet pritëse ndaj rreziqeve të panevojshme, në vend që të ofrojnë mbrojtje reale”. Të hënën, mbrojtja ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe “angazhoi 12 raketa balistike, 3 raketa lundruese dhe 4 mjete ajrore pa pilot të lëshuara nga Irani, duke rezultuar në 3 të plagosur me lëndime të moderuara”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve. Nuk ishte menjëherë e qartë sa prej këtyre predhave u shkatërruan nga mbrojtja ajrore. Më herët, autoritetet në emiratën Fujairah thanë se një sulm me dron në një port nafte shkaktoi një zjarr që plagosi tre shtetas indianë. Emiratet më vonë thanë se sulmet përfaqësonin një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një “shkelje të papranueshme”. Burime i thanë CNN se një sistem izraelit i mbrojtjes ajrore Iron Dome u përdor për të kapur predhat iraniane në hapësirën ajrore të Emirateve. /Telegrafi/
Go to News Site