Collector
Pesë javë ethe: Kur Franz Kafka u zgjua në një shtet tjetër | Collector
Pesë javë ethe: Kur Franz Kafka u zgjua në një shtet tjetër
Telegrafi

Pesë javë ethe: Kur Franz Kafka u zgjua në një shtet tjetër

Ndërsa shkrimtari Franz Kafka, në vjeshtën e vitit 1918, rrinte i mbyllur në karantinë, i infektuar nga gripi spanjoll, nën dritaren e tij u themelua një shtet i ri - edhe me ndihmën e një presidenti amerikan, i cili do të luante rol edhe në mbrojtjen e Shqipërisë. Kritiku letrar gjerman Reiner Stach ka punuar 18 vjet në një biografi me tre vëllime të shkrimtarit të madh Franz Kafka. Ky studim, i shkruar si roman, është një minierë e vërtetë me të dhëna interesante si për punën krijuese, ashtu edhe për jetën e përditshme të Kafkës. Një ndër episodet më interesante është se si Kafka, kur i kaluan ethet e një gripi, doli në rrugë dhe e kuptoi se tani ishte shtetas i një shteti të ri. Por të shkojmë me radhë. Në vjeshtën e vitit 1918, Kafka ndiqte kurse në një institut për t’u bërë kopshtar i kualifikuar, mësonte hebraisht dhe kishte vendosur të mos martohej kurrë pas ndarjes nga e fejuara e tij, Felice Bauer. Ai ishte i pasigurt në çdo lidhje. Më 14 tetor 1918, Kafkën e kapën ethet. Si shumë njerëz të tjerë, edhe Kafka ishte infektuar me gripin spanjoll. Reiner Stach shkruan në vëllimin e tretë të biografisë së Kafkës: “Ky nuk ishte më një grip i zakonshëm. Ishin simptomat e një sëmundjeje që do të zhvillohej në një pandemi shkatërruese, e cila do të përfshinte të gjithë rruzullin tokësor. Dhe kjo ndodhi me një shpejtësi që e bëri infeksionin masiv të shpërthente si një katastrofë natyrore... Në fund të shtatorit u bënë të njohura rastet e para; brenda javës së parë të tetorit vdiqën rreth dyqind njerëz në secilin prej metropoleve, Vjenë dhe Berlin, ndërsa nga mesi i tetorit ishin deri në dyqind në ditë”. Kafka u godit nga ky grip në kulmin e pandemisë. Shkollat ishin të mbyllura, po ashtu edhe teatrot, kinematë, dyqanet. Në çdo morg s’kishte vend për të vdekurit. Gripi spanjoll bënte kërdi - dhe i ngjante pandemisë së koronavirusit me të cilën u konfrontua bota në vitin 2020, pasi rasti i parë u bë i ditur më 31 dhjetor 2019 në Vuhan të Kinës. Kafka ishte shëndetlig, me tuberkuloz, nga i cili do të vdiste në vitin 1924. Kur u infektua me gripin spanjoll, ai u mbyll në dhomën e gjumit të prindërve të tij. Ndërsa Kafka gjendej në karantinë, çekët bënin plane për shtetin e tyre, dëshironin të braktisnin Perandorinë Austro-Hungareze. Në dhomë lëngonte Kafka, poshtë dritares zhvillohej revolucioni dhe pacienti i quajtur Austro-Hungari jepte grahmat e fundit. Presidenti amerikan Woodrow Wilson hodhi poshtë kërkesën e perandorit austriak për të ruajtur Monarkinë Austro-Hungareze - kësisoj Wilsoni vuri themelet për themelimin e shtetit të ri çekosllovak. Një vit më vonë, më 1919, Wilsoni do të mbrojë ekzistencën e Shqipërisë si shtet dhe do të deklarohet kundër planeve të fqinjëve të saj për copëtimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare. Më 1922, SHBA-ja do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe do ta njohë shtetin shqiptar edhe formalisht. Për shkak të rrethanave të kohës, Shqipërisë iu desh të priste 10 vjet për njohjen nga SHBA-ja. Kur 86 vjet më vonë Kosova shpalli pavarësinë, ajo priti pak më shumë se 10 orë dhe njohja nga Washingtoni erdhi. Të kthehemi te heroi i këtij rrëfimi, te Franz Kafka. Ai qëndroi 5 javë në karantinë për të hequr qafe gripin spanjoll. Kur doli nga karantina, Austro-Hungaria nuk ekzistonte më; një shtet i ri ishte themeluar, quhej Çekosllovaki. Stacioni i trenit në Pragë kishte ndërruar emrin: nga perandori “Franz-Joseph” në “Woodrow Wilson”. Tani çekishtja ishte bërë gjuhë zyrtare, duke lënë në hije gjermanishten, ndërsa në pasaportën e re Franz Kafka quhej: František Kafka. “Të zhytesh në ethe si nënshtetas i Monarkisë Habsburgase dhe të zgjohesh sërish si qytetar i një demokratie çeke: tashmë kjo ishte rrëqethëse, por edhe komike”, nënvizon Reiner Stach. / Telegrafi /

Go to News Site