Telegrafi
Për herë të parë në historinë e Ligës së Kampionëve, finalja do të shndërrohet në një duel taktik mes dy trajnerëve spanjollë. Paris Saint-Germain i Luis Enriques, kampion në fuqi i Evropës, do të përballet me Arsenalin e Mikel Artetës në “Puskas Arena”, në një finale që premton jo vetëm spektakël në fushë, por edhe një betejë strategjike në bankinë. Një përballje e tillë është jashtëzakonisht e rrallë në historinë e kompeticionit. Më herët, finale me trajnerë nga e njëjta kombësi janë zhvilluar vetëm katër herë: Brian Clough kundër Bob Houghton (Angli, 1979), Carlo Ancelotti kundër Marcello Lippi (Itali, 2003), si dhe dy herë me trajnerë gjermanë – Jupp Heynckes kundër Jurgen Klopp (2013) dhe Thomas Tuchel kundër Hansi Flick (2020). Tani, për herë të parë, lista pasurohet edhe me një finale “spanjolle”. Finalja e 30 majit në Budapest e vë në qendër të vëmendjes edhe ndikimin e madh të shkollës spanjolle të trajningut në futbollin modern. Luis Enrique e udhëhoqi PSG-në sezonin e kaluar drejt një triplete historike, duke e konfirmuar ekipin parisien si një superfuqi të re të kontinentit. Në anën tjetër, Mikel Arteta e ka rikthyer Arsenalin në elitën europiane, duke i dhënë fund pritjes së gjatë të londinezëve për një paraqitje në një finale të madhe evropiane. E goditi lojtarin e Atletico Madridit me shuplakë, ylli i Arsenalit rrezikon finalen e Ligës së Kampionëve Ky duel nuk është vetëm një përballje emrash, por edhe filozofish. Luis Enrique njihet për intensitetin e lartë, kontrollin e topit dhe presionin agresiv, ndërsa Arteta, i formuar në një ambient modern taktik, ka ndërtuar një Arsenal të disiplinuar, me organizim të fortë dhe fleksibilitet në fazat e lojës. Përplasja e tyre pritet të jetë një “lojë shahu” në nivelin më të lartë./ Telegrafi /
Go to News Site