Collector
Dy ish-ministra kinezë dënohen me vdekje për korrupsion | Collector
Dy ish-ministra kinezë dënohen me vdekje për korrupsion
Telegrafi

Dy ish-ministra kinezë dënohen me vdekje për korrupsion

Ish-ministrat kinezë të Mbrojtjes, Wei Fenghe dhe Li Shangfu, janë dënuar me vdekje me dy vjet pezullim të ekzekutimit të dënimit, nën akuzat për korrupsion, raportoi agjencia shtetërore kineze Xinhua. Ky vendim tregon edhe një herë përmasat e fushatës kundër korrupsionit brenda ushtrisë kineze, të cilën presidenti Xi Jinping e ka zhvilluar që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2012. Forcat e armatosura kineze prej vitesh janë një nga objektivat kryesore të spastrimeve antikorrupsion, ndërsa hetimet gjatë vitit 2023 përfshinë edhe njësitë elitare raketore përgjegjëse për armatimin bërthamor dhe konvencional, raporton nbc . Sipas raportimeve të mëhershme të Xinhua-s, Li Shangfu akuzohet se ka marrë “shuma të mëdha parash” përmes ryshfetit dhe ka korruptuar persona të tjerë. Hetimet treguan se ai nuk kishte përmbushur përgjegjësitë politike dhe kishte përdorur pozitën për të siguruar privilegje kadrovike për vete dhe të tjerët. Ndërkohë, hetimi ndaj Wei Fenghe, i nisur në vitin 2023, zbuloi se ai kishte marrë shuma të mëdha parash dhe sende me vlerë në këmbim të favoreve, si dhe kishte ndihmuar persona të tjerë të përfitonin në mënyrë të paligjshme përmes emërimeve kadrovike. Xinhua i përshkroi veprimet e tij si “jashtëzakonisht serioze”, me “dëme të mëdha dhe ndikim shumë negativ”. Autoritetet kineze sqaruan se dënimi me vdekje me dy vjet pezullim zakonisht shndërrohet në burgim të përjetshëm nëse të dënuarit nuk kryejnë vepra të reja penale gjatë asaj periudhe. Pas shndërrimit të dënimit, ata nuk do të kenë mundësi për zbutje të mëtejshme të dënimit apo lirim me kusht. Fushata antikorrupsion në ushtrinë kineze u intensifikua edhe më shumë në fillim të këtij viti, kur u shkarkua edhe një nga gjeneralët më të lartë kinezë, Zhang Youxia, aleat i kahershëm i Xi Jinping dhe anëtar i Byrosë Politike. /Telegrafi/

Go to News Site