Collector
Nga sherri në lokal te vrasja e Rexhep Ismailit, zbardhet dinamika e krimit në Sarandë | Collector
Nga sherri në lokal te vrasja e Rexhep Ismailit, zbardhet dinamika e krimit në Sarandë
Telegrafi

Nga sherri në lokal te vrasja e Rexhep Ismailit, zbardhet dinamika e krimit në Sarandë

Policia ka zbardhur dinamikën paraprake të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së martës në Sarandë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Rexhep Ismaili, pronar i një pompe derivatesh dhe kryetar i Shoqatës “Çamëria” – dega Sarandë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 në zonën e njohur si “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të viktimës. Sipas Policisë, konflikti ka nisur fillimisht me sende të forta mes disa personave dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit. Për pasojë, 66-vjeçari Rexhep Ismaili ka mbetur i vrarë në vendngjarje. Nga hetimet e para, autor i dyshuar i krimit është shtetasi Lulëzim Tabaku, i cili dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj Ismailit dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë në konflikt. Policia bën të ditur se dyshohet edhe për një person tjetër të plagosur gjatë përplasjes me armë, por ai ende nuk është identifikuar, pasi nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore. Vritet me plumb në kokë pronari i një pompe derivatesh në Sarandë, kryetar i Shoqatës “Çamëria” “Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur ‘Qafë Gjashtë’, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç”, thuhet në njoftimin e Policisë. Po ashtu, autoritetet bëjnë të ditur se janë ngritur pika kontrolli dhe po kryhen kontrolle intensive në zonë për kapjen e autorit dhe personave të tjerë të përfshirë. “Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur”, njofton Policia. Ndërkohë, kontrolle po ushtrohen edhe në spitalet rajonale dhe klinikat private për identifikimin e personit të plagosur. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Go to News Site