Telegrafi
Finalja e Superligës së Kosovës në basketboll këtë edicion do të sjellë përballë Trepçën dhe Bashkimin, dy skuadra që gjatë gjithë sezonit kanë dëshmuar cilësi dhe konsistencë në kampionat. Për këtë duel të shumëpritur, në një intervistë për Telegrafin kanë folur dy emra të njohur të basketbollit kosovar: ish-legjenda e Trepçës, Artan Mehmeti, dhe ish-legjenda e Bashkimit, tashmë pjesë e stafit teknik të klubit prizrenas, Bledar Gjeqaj. Ata kanë ndarë mendimet e tyre për favoritët, çelësat e suksesit dhe lojtarët që mund ta vendosin serinë finale. Mehmeti ka deklaruar se të dy ekipet janë me meritë pjesë e finales së këtij edicioni, por sipas tij përparësia i takon Trepçës për të triumfuar në fund. Ish-basketbollisti po ashtu ka analizuar se çfarë e ka penalizuar më shumë Bashkimin në përballjet e fundit me Trepçën, si dhe ka përmendur emrat që, sipas tij, mund ta përcaktojnë fituesin. “Mendoj se të dyja ekipet janë me plot meritë pjesë e finales këtë vit. Sa i përket favoritit, mendoj se Trepça është përpara në këtë seri finale, duke parë ecurinë dhe kontinuitetin e lartë që kanë treguar gjatë gjithë sezonit, përfshirë edhe triumfin në Kupën e Kosovës. Natyrisht, edhe Bashkimi është me meritë në finale dhe do të kërkojë momentin e vet për t'u shpallur kampion”. “Në letër duket thjeshtë. Trepça duhet ta mbrojë terrenin e vet për t'u shpallur kampione. Në anën tjetër, Bashkimit i duhet të fitojë të paktën një ndeshje si mysafir dhe të mos gabojë në shtëpi për të arritur te titulli”. “Mendoj se Bashkimi do ta ketë shumë të vështirë. Lojtarët fundorë të Trepçës, me lojën e tyre agresive në mbrojtje, do t’i detyrojnë organizatorët e Bashkimit të harxhojnë shumë energji për të gjetur zgjidhje në sulm. Përveç kësaj, kam vërejtur se lojtarët e Bashkimit kanë një respekt të tepruar për ata të Trepçës, gjë që po i penalizon në ndeshjet e fundit”. “Klubi i Trepçës është me meritë kampion dhe fitues i Kupës vitet e fundit. Kjo vjen si rezultat i një organizimi të shkëlqyer nga kryesia e klubit, por edhe falë përkrahjes së zjarrtë nga tifozët Torcida, andaj qyteti e meriton të quhet qyteti i basketbollit”. “Trepça ka një përbërje aq cilësore, sa që çdo lojtar i tyre mund të shpallet MVP i finales. Te Bashkimi, barra kryesore në këtë seri do të bjerë mbi Shorter”, ka thënë Mehmeti. Edhe te Bashkimi ka optimizëm, siç ka thënë Gjeqaj, por sipas tij Trepça ka një përparësi të vogël për shkak të mungesave me të cilat po përballet klubi prizrenas. Megjithatë, ai i siguroi tifozët e Bashkimit se kësaj serie finale klubi do t’i qaset me seriozitet maksimal. “Trepça ka një ekip mjaft të konsoliduar, them të drejtën, por finalja është finale dhe ne do t’i qasemi me seriozitet maksimal". "Një përparësi e Trepçës është fakti që ata do ta kenë rosterin e kompletuar, ndërsa ne përballemi me disa mungesa”. “Qyteti i Prizrenit dhe tifozët e saj e meritojnë titullin kampion për përkrahjen e vazhdueshme që na kanë dhënë gjatë sezonit”, ka thënë Gjeqaj. Kujtojmë se ndeshja e parë e serisë finale mes Trepçës dhe Bashkimit do të luhet të dielën me fillim nga ora 19:30, ndërsa kampion shpallet skuadra që arrin e para katër fitore./ Telegrafi /
Go to News Site