Telegrafi
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re që do ta udhëheqë organizatën në mandatin e ardhshëm. Sipas njoftimit, Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i UNION der albanischen und deutschen Unternehmen in Deutschland e.V. u mbajt më 9 maj 2026 në Düsseldorf të Gjermanisë, ku anëtarët, pas një procesi të cilësuar si demokratik dhe transparent, votuan për përbërjen e re drejtuese. Kryesia e re përbëhet nga: Zenun Krasniqi – Kryetar i Kryesisë Afrim Osmanaj – Nënkryetar Faton Shehu – Nënkryetar Irfan Purçuku – Sekretar i Përgjithshëm Shkëndije Pacolli – Anëtare Burim Kuraja – Anëtar Irfan Tërnava – Anëtar Në Kuvend u shpreh mirënjohje për Kryetarin e deritanishëm, Nazmi Viqa, si dhe për udhëheqjen dhe anëtarët e Kryesisë së kaluar, për kontributin e tyre në konsolidimin e strukturave organizative, zgjerimin e rrjetit të anëtarëve dhe forcimin e rolit të Unionit si platformë për përfaqësimin e interesave të bizneseve shqiptaro-gjermane. Po ashtu, falënderim i veçantë iu shpreh bankës OneFor, sponsorit gjeneral të takimit, për mbështetjen në organizimin e Kuvendit. Kryetari i ri, Zenun Krasniqi, falënderoi anëtarët për besimin dhe theksoi se mandati i tij do të karakterizohet nga transparenca, bashkëpunimi dhe përkushtimi. Ai nënvizoi se prioritetet e Kryesisë së re do të jenë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, mbështetja e sipërmarrësve të rinj, krijimi i mundësive të reja për zhvillim dhe përfaqësimi më i fuqishëm i interesave të përbashkëta të komunitetit të biznesit shqiptaro-gjerman. Sipas njoftimit, Kryesia e re synon të intensifikojë aktivitetet e rrjetëzimit, promovimit të investimeve, avancimit të partneriteteve strategjike dhe krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Gjermanisë dhe trojeve shqiptare. Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane vlerësohet si një nga platformat kryesore të organizimit dhe përfaqësimit të bizneseve shqiptare në Gjermani, duke synuar fuqizimin e sipërmarrjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Go to News Site