Telegrafi
Dua Lipa ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh kundër Samsung, duke pretenduar se kompania e elektronikës ka përdorur fotografinë e saj për të shitur televizorë pa leje dhe pa kompensim. Sipas padisë, të paraqitur të premten, Samsung ka përdorur imazhin e Lipës në paketimin e kartonit të televizorëve të saj duke filluar nga viti i kaluar. Kur këngëtarja është vënë në dijeni për këtë, ajo ka kërkuar që përdorimi i imazhit të saj të ndalet. Në padi thuhet se kompania ka qenë mospërfillëse dhe e pandjeshme dhe e ka refuzuar kërkesën, shkruan Variety . Screenshot “Fytyra e znj. Lipa është përdorur në mënyrë të dukshme për një fushatë masive marketingu për një produkt konsumator pa dijeninë e saj, pa konsideratë dhe pa asnjë kontroll apo kontribut nga ana e saj. Znj. Lipa nuk e ka lejuar dhe nuk do ta kishte lejuar këtë përdorim”, thuhet në dokumentin e padisë. Padia gjithashtu pretendon se Samsung ka përfituar duke krijuar përshtypjen se Lipa e mbështet produktin, gjë që sipas saj nuk është e vërtetë. Screenshot Sipas dokumenteve, Lipa zotëron të drejtat e autorit për fotografinë e përdorur, e cila është bërë në prapaskenë gjatë Festivalit Austin City Limits në vitin 2024. Në padi përmenden edhe reagime në rrjetin social X (ish-Twitter), ku disa përdorues sugjeronin se imazhi i saj ndikoi në blerjet e televizorëve Samsung. Një komentues shkruante se e kishte blerë produktin pasi kishte parë fytyrën e saj në paketim, ndërsa një tjetër deklaronte se do ta blinte televizorin vetëm për shkak të Dua Lipës. Is it just me or does 15 million seem low for a global brand like Samsung. This is going to be a landmark case for artists pic.twitter.com/lbIVDozAA4 — Edakoh (@edakoh_) May 10, 2026 Padia thekson gjithashtu se Lipa ka ndërtuar një “markë premium” dhe është shumë selektive në marrëveshjet e saj të marketingut dhe sponsorizimeve. Ajo pretendon shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të ligjit të Kalifornisë për të drejtën e publikimit, shkelje të Aktit Lanham dhe pretendime për markë tregtare. Çështja është ngritur në Distriktin Qendror të Kalifornisë. Samsung nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me padinë. /Telegrafi/
Go to News Site