Telegrafi
Ish-mesfushori i Kosovës U21, Besfort Zeneli, është përfshirë në listën e Suedisë për Kampionatin Botëror 2026, që nis më 11 qershor. 22-vjeçari luan si mesfushor dhe aktualisht është pjesë e klubit belg Union SG. Ai kishte qenë pjesë e Kosovës U21 në periudhën 2022-2024, ku regjistroi gjashtë paraqitje, ndërsa më pas vendosi ta vazhdojë karrierën ndërkombëtare me Suedinë. Kalimi i tij te suedezët është konkretizuar shpejt edhe në nivelin më të lartë, pasi Zeneli tashmë ka gjashtë ndeshje me Suedinë A. Debutimin e bëri më 22 mars 2025, duke hyrë kështu në planet e trajnerit përpara turneut më të madh të futbollit. Pavarësisht se Suedia ka në përbërje disa emra të spikatur nga Liga Premier, Zeneli ka arritur të gjejë hapësirë në konkurrencën e fortë në mesfushë, duke siguruar ftesën për Botëror. Rruga e Suedisë drejt kualifikimit nuk ishte e lehtë. Në grupin kualifikues ku ishte edhe Kosova, suedezët pësuan dy humbje nga “Dardanët”: 2-0 në Prishtinë më 8 shtator dhe 1-0 në Goteborg më 13 tetor të vitit të kaluar. Në fund, Suedia e mbylli grupin në vendin e fundit, pas Zvicrës, Kosovës dhe Sllovenisë. Megjithatë, falë suksesit në Ligën e Kombeve, Suedia e siguroi një shans të dytë përmes ‘play-off’-it. Në gjysmëfinale triumfoi 3-1 ndaj Ukrainës në Valencia, ndërsa më pas fitoi 3-2 ndaj Polonisë, duke e konfirmuar kualifikimin në Kupën e Botës. Në Botëror, Suedia do të garojë në Grupin F, ku do të përballet me Tunizinë, Holandën dhe Japoninë./ Telegrafi /
Go to News Site