Telegrafi
Çështja e mundësisë së heqjes së statusit “non grata” për Sali Berisha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diskutuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN. Gazetari Poli Hoxha deklaroi se në SHBA po zhvillohet lobim për këtë çështje dhe se, sipas tij, janë angazhuar kompani të fuqishme për të ndikuar në proces. “Për çështjen edhe mund të vijë ndonjë lajm, po lobohet në SHBA, është marrë një kompani e fuqishme dhe janë hedhur shumë para”, u shpreh Hoxha gjatë diskutimit në studio. Ai tha se në qarqe të afërta me Partinë Demokratike në Shqipëri ka pasur pritshmëri që gjatë muajve të fundit të kishte zhvillime lidhur me statusin e Berishës, ndërsa shtoi se informacionet kanë qarkulluar edhe përmes komunikimeve jozyrtare. Sipas Hoxhës, kompanitë që po merren me këtë çështje kanë lidhje të afërta me figura të administratës amerikane dhe më herët kanë qenë të përfshira edhe në rastin e Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë. Gazetari pretendoi se Berishës i është propozuar një marrëveshje e ngjashme me atë që, sipas tij, ishte aplikuar në rastin e Dodikut, ku largimi nga politika do të mund të ndikonte në procesin e heqjes së statusit “non grata”. “Kam dëgjuar që edhe zotit Berisha i është ofruar në fund të vitit të kaluar që, nëse largohet nga politika, të punohet për heqjen e non gratës”, deklaroi Hoxha. Ai përmendi gjithashtu një letër që, sipas tij, i ishte drejtuar sekretarit amerikan Marco Rubio, ku thuhej se Berisha nuk ishte më aktiv në politikë, çka kishte nxitur reagime në Shqipëri. Berisha u shpall “non grata” nga SHBA në vitin 2021 për shkak të akuzave për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, akuza të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht.
Go to News Site