Collector
Sneijder ia thotë në sy Slotit: Ky gabim i yti i kushtoi rëndë Liverpoolit | Collector
Sneijder ia thotë në sy Slotit: Ky gabim i yti i kushtoi rëndë Liverpoolit
Telegrafi

Sneijder ia thotë në sy Slotit: Ky gabim i yti i kushtoi rëndë Liverpoolit

Ish-ylli i Holandës, Wesley Sneijder, vlerëson se Arne Slot bëri një gabim të madh duke e shitur Luis Diazin verën e kaluar. “Shpresoj për Liverpoolin dhe Arne Slotin që gjërat të përmirësohen", ka thënë ish-mesfushori ofensiv i Real Madridit dhe Interit. “Ai bëri një gabim shumë të madh: shitjen e Luis Diazit te Bayern Munich. Nëse ka diçka për ta kritikuar, është pikërisht kjo. Ai është i jashtëzakonshëm. Një lojtar i madh”. “Por ndoshta ka pasur edhe arsye pas kësaj. Ne nuk jemi aty çdo ditë me ekipin apo departamentin financiar. Ndoshta kanë pasur nevojë ta shesin”. “Por, si një vëzhgues nga jashtë, duke e parë Liverpoolin dhe duke parë Diaz-in se si po luan te Bayern Munich, kjo është e vështirë për mua ta kuptoj”. Në të njëjtën kohë, Sneijder argumenton se Slot ka bërë një punë të mirë në “Anfield”, pavarësisht rënies së rezultateve këtë sezon. Ai gjithashtu nuk duket se e pëlqen atë që e konsideron si “flirtim” të Xabi Alonsos me Liverpoolin, në shpresë për ta marrë vendin e Slotit. Si mund të luajë sezonin e ardhshëm Liverpooli me Xabi Alonson dhe katër transferime të reja? “Kur Xabi Alonso u shkarkua (nga Real Madridi në janar), ai menjëherë nisi të ‘flirtojë’ me Liverpoolin dhe unë nuk besoj se kjo është shumë e bukur, sepse Arne Slot po bën një punë të shkëlqyer te Liverpooli”, shtoi Sneijder. “Ata patën një sezon të vështirë dhe ndodhën shumë gjëra në klub, dhe të gjithë e dimë çfarë ndodhi në fillim të sezonit, që i lëndoi shumë”. “Mund të ketë ndikuar në këto paraqitje. Në fillim ata nuk po luanin si një vit më parë dhe kjo ishte vërtet e vështirë”, përfundoi ai./ Telegrafi /

Go to News Site