Collector
Lista Serbe dorëzon listën për deputetë, kandidate edhe ish-drejtoresha e OJQ-së Radosavleviq | Collector
Lista Serbe dorëzon listën për deputetë, kandidate edhe ish-drejtoresha e OJQ-së Radosavleviq
Telegrafi

Lista Serbe dorëzon listën për deputetë, kandidate edhe ish-drejtoresha e OJQ-së Radosavleviq

Lista Serbe ka publikuar listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në listë gjenden 25 kandidatë, ndërsa i pari në listë është Zllatan Elek, kryetar i këtij subjekti. Në listë janë edhe Igor Simiq, Liljana Stevanoviq, Sllavko Simiq e të tjerë. Ajo që është risi në këtë listë është Jovana Radosavleviq, e cila gjendet me numrin rendor gjashtë dhe pranë emrit të saj është shënuar se është “mastere e shkencave politike për çështje ndërkombëtare”. Radosavleviq deri më tani ishte e njohur si aktiviste lokale në pjesën veriore të Kosovës dhe drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së ( Iniciativa e Re Sociale) , një prej organizatave joqeveritare aktive të komunitetit serb në Kosovë. Ajo gjithashtu, pothuajse në të njëjtën kohë me Listën Serbe, ka konfirmuar në rrjetet sociale se po largohet nga sektori civil dhe po hyn në politikë. “Pas dhjetë vitesh përpjekjesh përmes sektorit civil, ndiej se ka ardhur momenti të vazhdoj më tej dhe ta vazhdoj atë luftë në një vend tjetër, përmes angazhimit politik, aty ku besoj se mund të kem ndikim më konkret dhe më të drejtpërdrejtë në proceset dhe vendimet që formësojnë jetën e njerëzve”, ka deklaruar ajo. Ajo njoftoi gjithashtu se ka lënë pozitën e drejtoreshës ekzekutive të kësaj organizate që e kishte udhëhequr që nga themelimi, duke vlerësuar se vendimi është rezultat i “viteve të përvojës, bisedave, dilemave dhe bindjes së thellë”. Sipas mediumit në gjuhën serbe Kossev , ajo nuk ka konfirmuar drejtpërdrejt se po i bashkohet Listës Serbe. Mediumi shkruan se ajo nuk i është përgjigjur mesazhit për ta konfirmuar këtë dhe për të sqaruar motivin e kandidimit në këtë listë, ndërsa nuk i është përgjigjur as thirrjes telefonike. Më herët, në zgjedhjet e kaluara, Listës Serbe i ishte bashkuar si kandidat edhe babai i saj, kirurgu Zvonko Radosavleviq, shkruan ky medium. Ndryshe, zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen më 7 qershor, ndërsa partitë politike shqiptare kanë deklaruar se nuk duan të bashkëpunojnë me këtë subjekt pas sulmit terrorist në Banjskë ku përgjegjësinë kryesore e ka pranuar Millan Radoiçiq ish-nënkryetar i kësaj liste i cili vazhdon të mbetet i lirë në Serbi. Po ashtu kjo listë mbështetet nga pushteti i Aleksandar Vuçiq i Serbisë. / Telegrafi/.

Go to News Site