Telegrafi
Arne Slot ka këmbëngulur se pret të qëndrojë në stolin e Liverpoolit edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht një fushate zhgënjyese ku “Të Kuqtë” kanë pasur vështirësi ta mbrojnë kurorën e Ligës Premier. Holandezi është përballur me presion në rritje nga një pjesë e tifozëve në “Anfield”, ndërsa skuadra po lufton për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve. Slot ka shprehur bindjen se do ta udhëheqë klubin edhe në sezonin e ardhshëm, pavarësisht rënies së ndjeshme të formës në kampionat. Pas një sezoni debutues sensacional, ku fitoi titullin e Ligës Premier, këtë sezon ekipi i tij ka pësuar 11 humbje në ligë, gjë që ka sjellë pakënaqësi të dukshme nga tribunat. “Nuk mendoj se këtë vendim e marr vetëm unë, por kam çdo arsye të besoj se do të jem trajner i Liverpoolit sezonin e ardhshëm”, u shpreh ai. “Së pari, kam kontratë me këtë klub dhe, së dyti, nga të gjitha bisedat që po zhvillojmë. Kjo është mënyra si e shoh unë”. Trajneri ishte i sinqertë në vlerësimin e nivelit të paraqitjeve të skuadrës krahasuar me sezonin e kaluar. “Por nëse nuk e ke sezonin më të mirë, sidomos kur e krahason me sezonin e kaluar… nëse e krahason me sezone të tjera, mund të kesh një debat tjetër, por nëse e krahason me sezonin e kaluar, ky patjetër që nuk ka qenë një sezon i mirë; atëherë është normale që të ketë kritika”, pranoi Slot. Sneijder ia thotë në sy Slotit: Ky gabim i yti i kushtoi rëndë Liverpoolit Ndërkohë, edhe pse raportimet sugjerojnë se pronarët dhe drejtuesit e klubit nuk e kanë konsideruar një ndryshim në pankinë, atmosfera rreth klubit ka ndryshuar. Slot beson se vëmendja dhe presioni që po ushtrohen aktualisht mbi stafin dhe lojtarët janë thjesht pjesë e realitetit kur drejton një klub me peshën dhe madhësinë e Liverpoolit.
Go to News Site