Collector
Mbahet mbledhja e Qeverisë në detyrë, të gjitha vendimet që u morën | Collector
Mbahet mbledhja e Qeverisë në detyrë, të gjitha vendimet që u morën
Telegrafi

Mbahet mbledhja e Qeverisë në detyrë, të gjitha vendimet që u morën

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 19-të të rregullt, ku ka miratuar një sërë vendimesh që lidhen me shpronësime për interes publik, ndryshime vendimesh qeveritare, themelime të trupave të rinj institucionalë dhe ndarje e rialokime buxhetore. Në këtë mbledhje, ekzekutivi miratoi vendime për shpronësim për interes publik në disa zona kadastrale për nevoja të Ofruesit për Shërbimet e Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës (ish-ASHNA), në Vrellë të Goleshit e Mirenë (Lipjan), Zatriq (Rahovec), Mramor (Prishtinë) dhe Bajgorë (Mitrovicë e Jugut). Po ashtu, u miratuan vendime për shpronësim për realizimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë “Qarkorja e Vjetër e Qytetit të Gjilanit” (llot 1 dhe 2) dhe rehabilitimin, zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës nacionale R118 brenda fshatit Mushtisht (Suharekë). Një vendim tjetër i shpronësimit u miratua edhe për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatimin e thëngjillit për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në zonat kadastrale Siboc, Shipitullë, Leshkoshiq, Hade dhe Palaj (Obiliq). Qeveria po ashtu miratoi vendime për shqyrtim të mëtejmë të kërkesave për shpronësim të pronave ish-shoqërore të administruara nga AKP-ja, për projekte të Komunës së Podujevës, përfshirë ndërtimin e Tregut të Kafshëve (Dumnicë e Poshtme), Tregut të Gjelbër (Podujevë), banesave me kosto të përballueshme dhe objekteve edukativo-arsimore, përfshirë çerdhe për fëmijë. Në aspektin financiar, u miratua kërkesa e Ministrisë së Financave për ndryshim dhe plotësim të Vendimit të Qeverisë Nr. 04/04, të 13 marsit 2026, ku shuma e miratuar prej 370 mijë euro rritet për 3,150.90 euro, duke arritur në 373,150.90 euro, për Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), për mbulimin e diferencës së krijuar nga luhatjet në kursin valutor. Qeveria miratoi edhe rialokime buxhetore, përfshirë 50 mijë euro për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për zbatimin e programit “Masat preventive – intervenime emergjente”, si dhe 1 milion euro rialokim të mjeteve në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Gjithashtu, u ndanë 1 milion euro për zbatimin e Masës 1.9 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e punësimit të personave nga komunitetet joshumicë. Ndërsa, Komunës së Podujevës iu ndanë 90,599.56 euro për përfundimin e projektit “Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë” përmes Klauzolës së Investimeve. Ndër vendimet institucionale, qeveria miratoi ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për themelimin e Komisionit Ministror për Skemën Evropiane të Garancisë për të Rinjtë, si dhe themeloi Komisionin Ministror për Skemën Evropiane të Garancisë për Fëmijë dhe Këshillin Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. U miratua po ashtu zgjatja e Planit të Implementimit të Skemës për Garancinë për të Rinjtë – 2026. Në këtë mbledhje u miratua edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, si dhe vendimi për përditësimin e Listës Shtetërore Strategjike për Mallra Ushtarake, duke iu referuar Listës së Bashkimit Evropian për mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike ose të drejtave të njeriut. Po ashtu, qeveria u informua për Raportin e Vlerësimit të Ligjshmërisë të akteve të kuvendeve të komunave për vitin 2025. Në fund, u miratua vendimi për emërimin e Drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE” (Energy Storage Corporation – ESCorp), ku u emëruan: Bujar Haxha (kryesues), Fisnik Musai (anëtar), Violeta Arifi-Krasniqi (anëtare) dhe Mimoza Byqmeti (anëtare). Ndërkohë, qeveria miratoi edhe Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave ish-shoqërore KBI “Ereniku” për realizimin e projektit “Ndërtimi i Zonës Industriale të Mbrojtjes” në zonën kadastrale Jahoc, Komuna e Gjakovës. Po ashtu, u miratua kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për rritjen e kufirit të shpenzimeve në 15 milionë euro për projektin “Rehabilitimi i Linjës X Hekurudhore (Fushë Kosovë – Hani i Elezit)”, nga fondet e huamarrjes përmes “Klauzolës së Investimeve”.

Go to News Site