Collector
LINDJA E DASHURISË | Collector
LINDJA E DASHURISË
Telegrafi

LINDJA E DASHURISË

Poezi nga: Vicente Aleixandre Përktheu: Anton Papleka Si lindi dashuria? Kishte hyrë vjeshta. Përderisa bota ishte në stinën kur gjithçka është pjekur, unë nuk të prisja më. Ti erdhe gjithë gaz, duke rrëshqitur mbi butësinë e kohës, e praruar si ajri. Dhe unë të shikoja. Sa e bukur m’u duke, buzagaz e tërë gjallëri, kundruall hënës kërthinjë, lindur para kohe në mbrëmje, pa dritë, e hirshme në ajrin e praruar, si ti që erdhe përmes kaltërisë, pa një puthje, por me ata dhëmbë borë të bardhë, dashuri e papërmbajtshme! Unë të shikoja. Nën velat e tij të gjata, hidhërimi kruspullosej atje tej si një muzg i dendur që mbledh valët e tij. Një shi i imët – ç’qiell i kaltër! – ta vesonte ballin e ri. I dashuruar, i dashuruar ishte fati i dritës! Kaq e praruar më dukeshe, sa diejt mezi do të kishin guxim të ngulmonin të ndizeshin për ty, mbi ty, të të falnin prore pasionin e tyre të ndritshëm, vallen e shtruar të diejve që silleshin rreth teje, o yll i ëmbël, që silleshin rreth një trupi pothuaj të tejdukshëm, fatlum, që thith dritat e rituara e të mbrame të mbrëmjes, dhe ende i mëngjestë, përhap agsholet e tij. Ishe ti, dashuri, fat, dashuri e mbrame dhe e ndritshme, ndoshta lindja e parafundit në rrugën e vdekjes. Por jo. Ti më dole përpara. Vallë, ishe zog, trup, apo vetëm shpirt? Ah, mishi yt i nartë që e puthja si dy flatra të ngrohta, si ajrin që ngre peshë një kraharor, kur merr frymë. Befas, dallova fjalët e tua, parfumin tënd Dhe në shpirtin e thellë që sheh larg, Ti u ndale. I përshkuar nga ti deri në palcën e dritës, Ndjeva një pikëllim: Dashuria është e pikëlluar. Në shpirtin tim po agonte. Ndritja prej teje, tek unë ishte shpirti yt. Në trup, në gojë, ndjeva shijen e agsholit. Sytë e mi shprehën të vërtetën e tyre të praruar. Ndjeva zogjtë tek më çurlikonin në ballë, duke ma mbushur zemrën me një zhurmë shungulluese. Aty brenda vështrova degët, luginat me diell, flatrat e ndërkëmbyeshme, dhe një fluturim pendësh shumëngjyrëshe, çastesh vezulluese më dehu, ndërsa tërë qenia ime e shkundulluar, e dalldisur, e përflakur, ngjitej në zenitin e saj dhe gjaku im buçitës shpërthente në të qeshura dashurie, drite, plotërie, shkume.

Go to News Site