Collector
Nënshkruhet marrëveshja për dislokimin e rezervuarit të ujit në Kalanë e Prizrenit | Collector
Nënshkruhet marrëveshja për dislokimin e rezervuarit të ujit në Kalanë e Prizrenit
Telegrafi

Nënshkruhet marrëveshja për dislokimin e rezervuarit të ujit në Kalanë e Prizrenit

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja tripalëshe me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për implementimin e projektit “Dislokimi i rezervuarit të ujit në Kalanë e Prizrenit”. Sipas njoftimit të kompanisë, marrëveshja është nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Bekim Gashi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci. “Ky projekt është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike të Kalasë së Prizrenit, duke marrë parasysh problematikat e evidentuara më herët nga rrjedhjet dhe infrastruktura ekzistuese e rezervuarit”, thuhet në njoftim. Përveç aspektit të ruajtjes së trashëgimisë, KRU “Hidroregjioni Jugor” ka bërë të ditur se projekti pritet të ndikojë edhe në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes për disa zona të qytetit. “Projekti do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes për lagjet Nënkalaja, Kurilla, pjesë të Tususit si dhe zonën e Spitalit”, thuhet më tej. Në njoftim theksohet se rezervuari aktual ka kapacitet prej 480 metra kub, ndërsa rezervuari i ri që do të ndërtohet pritet të ketë kapacitet prej 1000 metrash kub. Vlera e projektit parashihet të jetë rreth 450 mijë euro, ndërsa realizimi i tij, sipas njoftimit, pritet të përfundojë brenda këtij viti. KRU “Hidroregjioni Jugor” ka theksuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që përmirësojnë shërbimet ndaj konsumatorëve dhe njëkohësisht ruajnë vlerat historike e kulturore të Prizrenit. / Telegrafi /

Go to News Site