Telegrafi
Afër tre milionë euro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka shpenzuar me procedurë të negociuar, apo siç njihet njëburimore. Megjithëse numri i tenderëve të dhënë si të tillë është i madh, njohës të prokurimit vlerësojnë që KQZ nuk e ka shkelur ligjin për Prokurim Publik, por që vlera e parashikuar për disa prej tyre, është tejkaluar. Për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka në dispozicion 10 milionë e 800 mijë euro. Por, këto mjete financiare, KQZ është duke u shpenzuar kryesisht përmes tenderëve njëburimorë. Që nga koha kur u caktua data 7 qershor, institucioni i në fjalë ka dhënë 14 tenderë me procedurë të negociuar, me një vlerë totale që i afrohet tre milionëshit. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre të hollave, u shpenzua në veç një procedurë të vetme. Mbi 2 milionë euro, KQZ-së i kushtoi veç tenderi për shërbimet postare dhe votimin jashtë vendit. Goxha shumë kushtoi edhe vet shtypja e fletëvotimeve, madje duke e tejkaluar shumën e parashikuar, gjithsej afro 350 mijë euro. Ndërsa 12 të tjerët sillen me vlera nga tetë mijë deri në 100 mijë euro. Megjithëse janë dhënë shumë tenderë njëburimorë, sipas njohësve, KQZ nuk e ka bërë shkeljen e Ligjit për Prokurim Publik. “Neni 35 e parasheh që procedura të përdoret në raste emergjente. Andaj, afati i zgjedhjeve që është afër, mund të konsiderohet si i tillë, prandaj ka një arsyetim të bazuar”, ka thënë Ardit Dragusha, Hulumtues i Prokurimit Publik në D+. Megjithatë, shqetësues, konsiderohet fakti që në të paktën disa procedura, KQZ është detyruar që t’i japë kontratat mbi vlerën e parashikuar, duke tërhequr mjete nga projekte të tjera. “Janë disa raste ku KQZ e ka tejkaluar vlerën e parashikuar, madje me më shumë se 50 mijë euro, për t’i përmbushur kërkesat e operatorëve ekonomik. Kjo gjë rrezikon potencialisht realizimin e disa projekteve me rëndësi”, ka thënë Ardit Dragusha, Hulumtues i Prokurimit Publik në D+. Dhënien e tenderit me procedurë të negociuar për shtypjen e fletëvotimeve, i cili ishte sfidë e madhe për KQZ-në, vet kryetari Kreshnik Radoniqi e kishte arsyetuar me afatin e shkurtër kohorë./Tv Dukagjini/ - YouTube youtu.be
Go to News Site