Telegrafi
Massimiliano Allegri ka folur hapur pas dështimit të Milanit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, pasi “Rossonerët” e mbyllën sezonin në vendin e pestë në Serie A dhe u mundën 2-1 nga Cagliari në javën e fundit. Tekniku italian pranoi se skuadra e tij gaboi në momentet vendimtare, sidomos pas golit të epërsisë. “Pasi shënuam, u relaksuam dhe mbrojtëm shumë keq si skuadër. Nuk mund t’u bëj asnjë qortim lojtarëve – ne bëmë maksimumin absolut për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve”. “Tani jam i zhgënjyer dhe i zemëruar. Na shpëtoi Liga e Kampionëve. Pasi e përmbysëm ndeshjen ndaj Genoas, askush nuk e priste që në fund të mbeteshim jashtë dhe ta shikonim nga jashtë”. Sipas Allegrit, Milani duhet ta pranojë realitetin, por me shumë hidhërim, ndërsa përsëri mbrojti lojtarët e tij. “Duhet ta pranojmë verdiktin e dhënë në fushë me shumë hidhërim. Nuk mund t’i fajësoj lojtarët për asgjë – ata dhanë gjithçka që kishin në fushë”. Kur u pyet për arsyet e këtij dështimi, trajneri i Milanit pranoi se nuk ka një përgjigje të qartë dhe se përgjegjësia është kolektive. “Është e vështirë të gjesh një arsye të vetme: Nuk e di. Unë bëra diçka gabim dhe të gjithë bëmë diçka gabim së bashku. U përpoqëm ta ndryshonim situatën”. “Kur e humb kualifikimin për Ligën e Kampionëve në javën e fundit, të detyron një vlerësim negativ të të gjithë sezonit. Mendoj se duhet ta vlerësojmë të gjithë fushatën me shumë qetësi”, përfundoi ai për DAZN. Ndërkohë, përpos Romës edhe befasia e sezonit, Como e siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve./ Telegrafi /
Go to News Site