Collector
Dhimbja e mesit: kur duhet të shqetësohemi dhe kur jo? | Collector
Dhimbja e mesit: kur duhet të shqetësohemi dhe kur jo?
Telegrafi

Dhimbja e mesit: kur duhet të shqetësohemi dhe kur jo?

Dhimbja e mesit shpesh lidhet me frikë, MRI dhe idenë se “ka ndodhur një dëmtim serioz”, por ekspertët shpjegojnë pse shumica e rasteve nuk janë të rrezikshme, cilat janë shenjat alarmuese dhe pse lëvizja, qetësia dhe besimi te trupi janë pjesë kyçe e rikuperimit Ass. MSc. Rilind Shala, PT Master i Shkencave të Fizioterapisë Dhimbja e mesit është një nga problemet më të zakonshme që mund t’i ndodhë pothuajse secilit prej nesh. Dikujt i shfaqet pas një dite të gjatë në punë, dikujt pas palestrës, dikujt pas një lëvizjeje krejt të thjeshtë, si përkulja për të marrë diçka nga toka. Ndonjëherë fillon ngadalë, si një lodhje që grumbullohet ditë pas dite. Herë të tjera vjen papritur, me një therje të fortë që menjëherë të jep ndjesinë se “diçka u prish”. Dhe zakonisht pikërisht këtu fillon frika. Kur dhimbja është e fortë, është shumë normale që njeriu të mendojë për më të keqen. Shumë pacientë, sapo ndiejnë dhimbje në mes, e lidhin menjëherë me diskun, nervin, unazat, “bllokimin” e shpinës apo ndonjë dëmtim serioz. Kjo është e kuptueshme, sepse dhimbja mund të jetë shumë bindëse. Kur të dhemb shumë, trupi të detyron ta marrësh seriozisht. Por një gjë duhet ta themi qartë: dhimbja e fortë nuk do të thotë automatikisht dëmtim te madh. Shpina nuk është një strukturë e dobët që prishet nga një përkulje, nga një ngritje peshe apo nga një lëvizje e zakonshme. Përkundrazi, shpina është e fortë, e gjallë, e adaptueshme dhe e ndërtuar për të lëvizur. Ajo nuk është prej qelqi. Nuk është diçka që duhet ta mbrojmë gjithë jetën nga çdo ngarkesë. Një nga mesazhet më të rëndësishme që vjen nga autorë si Peter O’Sullivan është se shumica e dhimbjeve të mesit nuk janë të rrezikshme. Mund të jenë të bezdisshme, mund të jenë kufizuese, madje mund të jenë edhe shumë frikësuese, por në shumicën dërrmuese të rasteve nuk tregojnë se shpina është “shkatërruar”. Dhimbja nuk është gjithmonë dëmtim Në jetën e përditshme jemi mësuar ta lidhim dhimbjen me dëmtimin. Nëse e ndrydh kyçin dhe ai fryhet, e kupton pse dhemb. Nëse prekim diçka të nxehtë, dhimbja na tregon se duhet ta largojmë dorën. Por dhimbja e mesit shpesh nuk funksionon kaq thjeshtë. Mund të kesh dhimbje shumë të fortë pa pasur ndonjë dëmtim serioz. Mund të kesh një rezonancë magnetike ku shkruan “degjenerim”, “protruzion”, “bulging disc” apo “ndryshime diskale”, dhe prapë këto gjetje të mos jenë domosdoshmërisht arsyeja kryesore e dhimbjes. Madje shumë njerëz pa asnjë dhimbje kanë ndryshime të tilla në imazheri. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse shpesh njerëzit e lexojnë raportin e MRI-së dhe tremben më shumë nga fjalët sesa nga vetë gjendja reale. Termat si “degjenerim”, “hernie”, “desikim” apo “ngushtim” tingëllojnë rëndë. Për një pacient, ato mund të krijojnë përshtypjen se shpina është e dëmtuar përgjithmonë. Por trupi nuk funksionon vetëm në bazë të fotografisë që shohim në MRI. Dhimbja është një përvojë që krijohet nga sistemi nervor. Ajo ndikohet nga indet, por edhe nga ndjeshmëria e nervave, gjumi, stresi, lodhja, frika, përvojat e mëparshme dhe mënyra se si na është shpjeguar problemi. Kjo nuk do të thotë se dhimbja është “në kokë”. Kjo shprehje është e gabuar dhe shpesh fyese për pacientin. Dhimbja është reale. Por mënyra si e kuptojmë dhimbjen mund ta qetësojë ose ta aktivizoj edhe më shumë sistemin nervor. Për shembull, një person që ka dëgjuar për vite se “disqet i ka të konsumuar” mund të fillojë ta shohë shpinën si të brishtë. Ai fillon të shmangë përkuljen, të shmangë ushtrimet, të lëvizë me shumë kujdes dhe të jetojë me idenë se çdo lëvizje mund ta përkeqësojë. Me kalimin e kohës, kjo sjell më shumë tension, më shumë frikë dhe shpesh më shumë dhimbje. Jo sepse personi po e imagjinon dhimbjen, por sepse trupi që jeton vazhdimisht në mbrojtje bëhet më i ndjeshëm. MRI-ja: e dobishme, por jo gjithmonë përgjigjja MRI-ja është një mjet shumë i vlefshëm. Në raste të caktuara është e domosdoshme, sidomos kur dyshohet për probleme serioze si infeksion, frakturë, tumor, dëmtim i rëndë nervor apo gjendje të tjera që kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor. Por për dhimbjen e zakonshme të mesit, MRI-ja shpesh nuk e jep përgjigjen e plotë që njerëzit presin. Ajo tregon strukturat, por nuk tregon gjithmonë pse një person ka dhimbje, pse dhimbja është rritur tani, pse ndryshon nga dita në ditë, pse përkeqësohet me stres apo pse qetësohet kur personi fillon të lëvizë më mirë dhe të frikësohet më pak. Shumë ndryshime që shihen në MRI janë pjesë normale e plakjes dhe adaptimit të trupit. Ashtu si thinjat në flokë apo rrudhat në fytyrë, edhe disqet dhe nyjat e shpinës ndryshojnë me kalimin e viteve. Kjo nuk do të thotë se ato janë gjithmonë burimi i dhimbjes. Problemi fillon kur MRI-ja përdoret si “dënim”. Kur pacientit i thuhet se shpina e tij është “e konsumuar”, “e prishur”, “e dëmtuar” ose “jashtë vendit”, ai mund të humbasë besimin te trupi i vet. Fillon të kërkojë dikë që “ia kthen në vend” shpinën, dikë që “ia rregullon diskun”, dikë që “ia zhbllokon” belin. Në disa raste, trajtimet pasive mund të japin lehtësim të përkohshëm. Dhe kjo nuk është keq. Por qëllimi nuk duhet të jetë që pacienti të ndihet i varur nga dikush tjetër për të funksionuar. Qëllimi duhet të jetë që pacienti ta kuptojë trupin e vet, të fitojë besim dhe të kthehet gradualisht në aktivitet. MRI-ja duhet parë si një pjesë e historisë, jo si e gjithë historia. Një tjetër ide shumë e përhapur është se shpina, legeni ose sakrumi “dalin nga vendi”. Shpesh dëgjojmë fjali si: “më ka lëvizur unaza”, “më ka dalë disku”, “më është bllokuar legeni”, “njëra këmbë më është bërë më e gjatë”. Këto shpjegime mund të tingëllojnë bindëse, sidomos kur personi realisht ka dhimbje. Por shpina nuk është aq e paqëndrueshme sa të zhvendoset lehtë nga një lëvizje e zakonshme. Trupi është shumë më i fortë se kaq. Kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk mund të ndiejnë bllokim, tension apo kufizim në lëvizje. Por ndjesia e bllokimit nuk do të thotë gjithmonë se diçka ka dalë nga vendi. Shpesh mund të jetë mbrojtje muskulore, ndjeshmëri e rritur, frikë nga lëvizja, lodhje ose irritim i përkohshëm i indeve. Prandaj, mënyra si ia shpjegojmë pacientit problemin ka shumë rëndësi. Nëse i themi se shpina i del nga vendi, ne pa dashje mund ta bëjmë të ndihet i pasigurt në trupin e vet. Por nëse i themi se shpina është e ndjeshme, por jo e brishtë, kjo i jep një mesazh krejt tjetër: ka dhimbje, po; por ka edhe mundësi për rikuperim. Kur duhet të shqetësohemi? Edhe pse shumica e dhimbjeve të mesit nuk janë të rrezikshme, ka raste kur duhet kërkuar vlerësim mjekësor. Kjo është e rëndësishme të thuhet, sepse qëllimi nuk është të minimizohet çdo dhimbje. Duhet të kërkohet ndihmë mjekësore nëse dhimbja shoqërohet me humbje të kontrollit të urinës ose jashtëqitjes, vështirësi të reja për të urinuar, mpirje në zonën intime, dobësi të rëndë ose progresive në këmbë, temperaturë, humbje të pashpjegueshme peshe, histori kanceri, traumë të fortë, ose dhimbje që përkeqësohet vazhdimisht dhe nuk ndryshon fare me pozicionin apo pushimin. Këto shenja nuk do të thonë automatikisht se ka diçka shumë serioze, por janë arsye për kontroll më të kujdesshëm. Nga ana tjetër, shumë gjëra që i frikësojnë njerëzit nuk janë domosdoshmërisht shenja rreziku. Dhimbja kur ngrihesh nga shtrati, ndjesia e ngurtësimit në mëngjes, therja gjatë përkuljes, klikimet, tensioni muskulor apo fakti që dhimbja kthehet herë pas here nuk tregojnë patjetër dëmtim serioz. Janë simptoma të bezdisshme, por jo gjithmonë të rrezikshme. Ky dallim është shumë i rëndësishëm. Sepse kur pacienti e di se çfarë është alarm dhe çfarë jo, ai qetësohet. Dhe në dhimbjen e mesit, qetësia nuk është diçka e vogël. Shpesh është hapi i parë drejt përmirësimit. Çfarë ndihmon më së shumti? Për shumicën e njerëzve me dhimbje mesi, rruga më e mirë nuk është paniku, pushimi i gjatë apo kërkimi i një “rregullimi” të shpejtë. Zakonisht, ndihmon më shumë një qasje e qetë dhe graduale: të kuptohet dhimbja, të vazhdohet lëvizja brenda tolerancës, të përmirësohet gjumi, të menaxhohet stresi dhe të kthehet besimi në trup. Kjo nuk do të thotë të ushtrosh me dhunë apo të injorosh dhimbjen. Do të thotë të mos e trajtosh çdo dhimbje si shenjë dëmtimi. Ndonjëherë një lëvizje dhemb jo sepse po të dëmton, por sepse zona është bërë e ndjeshme. Mund ta imagjinojmë si lëkurën pas djegies nga dielli. Edhe një prekje e lehtë mund të dhembë shumë, por kjo nuk do të thotë se prekja po e shkatërron lëkurën. Ajo thjesht është më e ndjeshme për një periudhë. Diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe me sistemin nervor në dhimbjen e mesit. Prandaj, lëvizja duhet të kthehet gradualisht. Dikush mund të fillojë me ecje. Dikush me ushtrime të lehta. Dikush me forcim. Dikush me rikthim të ngadalshëm në përkulje dhe ngritje peshe. Nuk ka një recetë të vetme për të gjithë. Por ka një parim që vlen pothuajse gjithmonë: pacienti duhet të rikthejë besimin se trupi i tij mund të lëvizë. Fjalët kanë rëndësi Në dhimbjen e mesit, fjalët që përdorim janë shumë të rëndësishme. Një fjali e thënë pa kujdes mund ta ndjekë pacientin për vite. Kur dikujt i thuhet “shpina jote është e konsumuar”, “mos u përkul më”, “mos ngri pesha”, “disqet i ke të dëmtuar”, ai nuk merr vetëm informacion. Ai merr një histori për trupin e vet. Dhe nëse ajo histori është e frikshme, pacienti fillon të jetojë me frikë. Një mesazh më i mirë do të ishte: shpina jote është e ndjeshme tani, por nuk është e brishtë. Dhimbja është reale, por nuk do të thotë se je i dëmtuar përgjithmonë. Do të lëvizim gradualisht. Do ta kuptojmë çfarë e irriton dhe çfarë e qetëson. Do ta rikthejmë besimin hap pas hapi. Përfundim Dhimbja e mesit mund të jetë shumë e lodhshme. Mund të ta prishë ditën, gjumin, punën, aktivitetin fizik dhe humorin. Por nuk duhet të të bindë menjëherë se je “i prishur”. Në shumicën e rasteve, shpina nuk është e dëmtuar rëndë. Dhimbja nuk është gjithmonë shenjë dëmtimi. MRI-ja nuk është gjithmonë përgjigjja e plotë. Dhe lëvizja nuk është armik. Ka raste kur duhet kontroll mjekësor, sidomos kur ka shenja alarmi. Por për shumicën e njerëzve, rruga më e mirë është edukimi i mirë, qetësimi, lëvizja graduale, ushtrimet e përshtatura dhe rikthimi i besimit te trupi. /Telegrafi/

Go to News Site