Collector
Tërnava në prag të Kurban Bajramit, thirrje partive politike: Fushata të jetë larg përçarjes | Collector
Tërnava në prag të Kurban Bajramit, thirrje partive politike: Fushata të jetë larg përçarjes
Telegrafi

Tërnava në prag të Kurban Bajramit, thirrje partive politike: Fushata të jetë larg përçarjes

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka bërë thirrje ndaj partive politike që fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit ta zhvillojnë me maturi, dinjitet dhe respekt, larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes. Në mesazhin e tij në prag të festës së Kurban Bajrami, Tërnava tha se qytetari dhe vullneti i tij duhet të respektohen mbi çdo interes politik, ndërsa theksoi se vendi ka nevojë për unitet pavarësisht rezultatit zgjedhor. “Më 7 të muajit të ardhshëm vendi ynë përballet me një moment vendimtar për demokracinë, dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e shtetit. Andaj ju bëj thirrje të gjitha forcave politike në vend që fushatën ta zhvillojnë me maturi, dinjitet dhe respekt, larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes”, tha ai. Sipas Tërnavës, gara politike duhet të zhvillohet me ide dhe vizion për vendin. “Le të garohet me ide, vizion dhe përgjegjësi ndaj atdheut, sepse sovrani është qytetari dhe vullneti i tij duhet të respektohet mbi çdo interes politik. Pavarësisht rezultatit, Kosova ka nevojë për unitet”, deklaroi myftiu. Në mesazhin e tij për festën, Tërnava foli edhe për domethënien e Kurban Bajrami, duke thënë se “kjo natë e bekuar na kujton madhështinë e besimit dhe adhurimin madhështor të Haxhit, qëndrimin në Arafat”. Ai shtoi se kurbani simbolizon solidaritetin dhe sakrificën për të tjerët. “Kurbani na kujton se njeriu fiton vlerë kur di të ndajë nga vetja për të tjerët”, tha Tërnava, duke shtuar se festa na fton të reflektojmë për më shumë përgjegjësi, unitet dhe shpresë. /Telegrafi/

Go to News Site