Collector
Hapja e garës për Kryeprokuror, KPK kërkon proces transparent dhe me meritë | Collector
Hapja e garës për Kryeprokuror, KPK kërkon proces transparent dhe me meritë
Telegrafi

Hapja e garës për Kryeprokuror, KPK kërkon proces transparent dhe me meritë

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka bërë të ditur se emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit realizohet në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore, përmes propozimit nga KPK dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në një njoftim zyrtar, KPK thekson se procesi i nisur në vitin 2022 nuk ka rezultuar me emërim të përfunduar. “Propozimi i vitit 2022 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka rezultuar në emërim, pasi nuk është nxjerrë asnjë dekret presidencial, emërimi nuk është finalizuar dhe asnjë kandidat nuk ka fituar të drejtën për ushtrimin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim. KPK thekson se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit ka mbetur pa mandat të plotë që nga prilli i vitit 2022. “Kjo situatë e zgjatur ka krijuar pasiguri institucionale dhe ligjore, duke ndikuar në funksionimin, efikasitetin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial”, thuhet më tej. Këshilli thekson se nevoja për një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë është nënvizuar edhe nga raportet ndërkombëtare. Konkursi për Kryeprokuror, Haxhiu: Procesi duhet të jetë i paanshëm dhe transparent Sipas KPK-së, “nevoja për një proces të rregullt, transparent, të bazuar në meritë dhe të zhvilluar në kohë është theksuar vazhdimisht në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën për vitet 2023, 2024 dhe 2025”. Po ashtu, KPK përmend edhe qëndrimet e Bashkimit Evropian në kuadër të MSA-së, ku thuhet se “procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit duhet të zhvillohet brenda afateve të arsyeshme dhe në përputhje me agjendën e reformave”. Në njoftim citohen edhe partnerët ndërkombëtarë. Zyra e BE-së, sipas KPK-së, ka theksuar se “procesi i përzgjedhjes duhet të jetë i drejtë, transparent dhe i bazuar në meritë”, ndërsa Ambasada e SHBA-ve ka deklaruar se “procesi duhet të jetë objektiv, transparent dhe i bazuar në meritë”. Edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka theksuar nevojën për “një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë”, ndërsa ajo e Gjermanisë ka shprehur “zhgënjim me procesin e mëparshëm të përzgjedhjes”. Në të njëjtën linjë, OSBE ka deklaruar se “do ta monitorojë nga afër procesin e përzgjedhjes”. KPK shpall konkurs për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit KPK përmend edhe organizatat e shoqërisë civile, përfshirë IKD-në, GLPS-në, FOL-in, INPO-n dhe KDI-në, të cilat kanë kërkuar “një proces të ri, të ligjshëm, transparent dhe të bazuar në meritë”. Në fund, KPK sqaron se propozimi i vitit 2022 nuk do të përdoret më për emërim. “Ky sqarim nuk përbën anulim të konkursit të vitit 2022, nuk paragjykon asnjë kandidat dhe nuk ndikon në të drejtën e kandidatëve të kualifikuar për të marrë pjesë në procedurën e re”, thuhet në njoftim. KPK njofton se konkursi i ri është i hapur deri më 10 qershor 2026 dhe fton të gjithë prokurorët që plotësojnë kushtet ligjore të aplikojnë. /Telegrafi/

Go to News Site