Collector
Jose Mourinho rikthehet te Real Madridi, nënshkruan edhe kontratë trivjeçare | Collector
Jose Mourinho rikthehet te Real Madridi, nënshkruan edhe kontratë trivjeçare
Telegrafi

Jose Mourinho rikthehet te Real Madridi, nënshkruan edhe kontratë trivjeçare

Jose Mourinho do të jetë trajneri i ri i Real Madridit, duke shënuar rikthimin e tij në “Santiago Bernabeu” pas më shumë se një dekade. Sipas “The Athletic”, 63-vjeçari tashmë ka nënshkruar kontratën me gjigantët spanjollë, e cila do të jetë e vlefshme deri në vitin 2029, ndërsa prezantimi pritet të bëhet pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në klub. Portugezi do ta zëvendësojë Alvaro Arbeloan, i cili shërbeu si trajner i përkohshëm pas largimit të Xabi Alonsos në janar, por nuk arriti ta shpëtojë sezonin e Realit, që u mbyll pa asnjë trofe. Largim i lehtë nga Benfica Mourinho së fundmi ishte në krye të Benficës, pas shkarkimit nga Fenerbahce. Edhe pse kontrata e tij në Lisbonë ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2027, një klauzolë lirimi e raportuar në vlerë rreth tre milionë euro e ka bërë transferimin drejt Madridit relativisht të thjeshtë. Negociatat me Realin u konfirmuan të premten edhe nga eksperti i transferimeve, David Ornstein, i cili raportoi se bisedimet kanë përfunduar me sukses. Sipas raportit, Mourinho ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, ndërsa paga e tij vjetore thuhet se do të jetë rreth 12 milionë euro bruto. Jose Mourinho has signed contract to become Real Madrid head coach. 63yo leaving Benfica for 2nd spell in charge of #RMFC after putting pen to paper last week on 3yr deal. Set to be announced post presidential election. W/ @MarioCortegana @TheAthleticFC https://t.co/jK6Q5cF7eU — David Ornstein (@David_Ornstein) May 29, 2026 Mandati i dytë në Madrid Ky do të jetë mandati i dytë i Mourinhos te Real Madridi. Ai e drejtoi klubin nga viti 2010 deri në 2013, ku në 178 ndeshje zyrtare regjistroi mesatarisht 2.3 pikë për ndeshje dhe në sezonin e parë 2010/11 fitoi titullin e La Ligas. Megjithatë, trofeu i Ligës së Kampionëve mbeti objektivi i parealizuar. Reali po kalon një periudhë të vështirë sportive dhe të brendshme. Xabi Alonso ishte sjellë verën e kaluar si “shpresë e madhe”, por nuk arriti t’i bindë yjet e ekipit si Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe. Situata u tensionua edhe më shumë pas largimit të tij. Një peticion online, i nënshkruar nga disa milionë persona, po kërkon largimin e Mbappes, ndërsa në fillim të majit u raportua edhe për një përplasje serioze mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit. Uruguaiani madje thuhet se u trajtua në emergjencë pasi u godit nga bashkëlojtari i tij. Në të njëjtën kohë, presidenti Florentino Perez po përballet me kritika të shumta. 79-vjeçari ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e dorëheqjes dhe do të kandidojë sërish në zgjedhjet e 7 qershorit, duke synuar mandatin e tij të shtatë në krye të klubit. /Telegrafi/

Go to News Site