Telegrafi
Ekspertët zbulojnë si krahasimi me të tjerët, perfeksionizmi dhe stresi kronik mund ta ushqejnë ndjenjën e zbrazëtisë emocionale Pakënaqësia kronike, e njohur ndonjëherë edhe si “disfori”, përfaqëson një ndjenjë të thellë dhe të vazhdueshme se jetës i mungon kuptimi ose përmbushja. Edhe pse nuk konsiderohet diagnozë zyrtare psikiatrike, ajo shpesh mund të jetë sinjal i hershëm për zhvillimin e problemeve si depresioni, ankthi, djegia emocionale apo lodhja mendore. Çfarë është pakënaqësia kronike? Kur ndjenja e pakënaqësisë zgjat për një kohë të gjatë dhe fillon të ndikojë në funksionimin e përditshëm, biseda me një profesionist të shëndetit mendor mund të jetë hap i rëndësishëm drejt rikuperimit. Pakënaqësia kronike është ndjesia e vazhdueshme se gjërat në jetë nuk janë mjaftueshëm të mira, edhe kur nga jashtë duket se gjithçka është në rregull. Personi shpesh ka ndjesinë se diçka i mungon dhe vazhdimisht synon qëllime të reja, suksese apo gjëra materiale, me bindjen se ato do t’i sjellin lumturi dhe përmbushje. Por, sapo qëllimi arrihet, kënaqësia zbehet shpejt dhe lind nevoja për diçka tjetër. Me kalimin e kohës krijohet një model i përsëritur: shpresë e përkohshme, e ndjekur nga zhgënjimi dhe boshllëku emocional. Kjo gjendje mund të ndikojë ndjeshëm në marrëdhëniet me të tjerët, përqendrimin në punë dhe në shëndetin mendor në përgjithësi. Shenjat që tregojnë pakënaqësi kronike Personat që përballen me pakënaqësi afatgjatë shpesh ndiejnë se jeta e tyre nuk është mjaftueshëm e plotësuar, edhe kur arrijnë objektiva që dikur i kanë konsideruar shumë të rëndësishme. Shpesh vjen deri te krahasimi me miq, kolegë apo njerëz në rrjetet sociale, ku jeta e të tjerëve duket gjithmonë më e suksesshme dhe më e lumtur. Shumë njerëz e kanë të vështirë të kënaqen me gjërat që dikur i bënin të lumtur, si hobet, shoqëria apo planet për të ardhmen. Përveç ndryshimeve emocionale, mund të shfaqet nervozizëm i shtuar, ankesa të vazhdueshme për punën, pamjen, partnerin apo rrethanat e jetës. Problemet e vogla fillojnë të duken shumë më serioze se më parë, ndërsa rrethi i afërt mund ta perceptojë personin si negativ ose të vështirë për t’u kënaqur. Tek disa njerëz shfaqen edhe simptoma fizike, si lodhja, ndryshimet e oreksit dhe çrregullimet e gjumit, transmeton Telegrafi. GettyImages Pse vazhdon ndjenja e pakënaqësisë? Studimet tregojnë se njerëzit përshtaten relativisht shpejt si me ndryshimet pozitive, ashtu edhe me ato negative në jetë. Për këtë arsye, ngjarje si rritja e pagës, blerja e një shtëpie të re apo fitimet financiare sjellin vetëm lumturi të përkohshme. Ky fenomen njihet si “adaptimi hedonik”. Përveç kësaj, disa tipare të personalitetit ndikojnë në mënyrën se si njerëzit rikthehen te ndjenja e pakënaqësisë pas ngjarjeve pozitive. Rol të rëndësishëm luajnë edhe mënyrat e të menduarit. Rikthimi i vazhdueshëm te përvojat negative, analizimi i tepërt i problemeve dhe krahasimi me të tjerët mund ta thellojnë edhe më shumë këtë ndjenjë. Ekspertët veçojnë edhe termin “anhedoni”, që nënkupton uljen e aftësisë për të ndier kënaqësi dhe gëzim. Kjo gjendje lidhet me mënyrën se si truri reagon ndaj shpërblimit dhe shpesh shoqërohet me kënaqësi të ulët ndaj jetës. Shkaqet më të zakonshme të pakënaqësisë kronike Pakënaqësia kronike zakonisht lind nga kombinimi i faktorëve psikologjikë, shoqërorë dhe jetësorë. Rrjetet sociale dhe krahasimi me të tjerët Mënyra moderne e jetesës nxit krahasimin e vazhdueshëm me të tjerët. Rrjetet sociale e forcojnë edhe më shumë këtë efekt, sepse shumica e njerëzve shfaqin vetëm versionin ideal të jetës së tyre. Për këtë arsye, shumë persona krijojnë ndjesinë se kanë mbetur pas ose se nuk janë mjaftueshëm të suksesshëm. Perfeksionizmi dhe kritika ndaj vetes Personat perfeksionistë shpesh vendosin standarde joreale për veten. Edhe kur arrijnë sukses, vëmendja mbetet te gabimet dhe te ajo që ende nuk është “mjaftueshëm mirë”. Ky mënyrë të menduari mund të çojë në stres kronik dhe lodhje emocionale. Stresi afatgjatë Stresi është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e pakënaqësisë së vazhdueshme. Kur organizmi është vazhdimisht nën presion, rritet niveli i kortizolit, hormoni i stresit, gjë që ndikon negativisht në pjesët e trurit përgjegjëse për vendimmarrjen dhe kontrollin emocional. Për këtë arsye, personi bëhet më i ndjeshëm ndaj zhgënjimeve dhe situatave negative. Rrethanat dhe ndryshimet jetësore Periudha të caktuara të jetës mbartin rrezik më të madh për zhvillimin e pakënaqësisë. Kjo vlen sidomos për moshën e mesme, kur njerëzit përballen me obligime të mëdha familjare e profesionale, kujdesin ndaj prindërve dhe rivlerësimin e pritjeve personale. Problemet financiare, mungesa e vlerësimit në punë, divorci, shpërngulja ose pensionimi mund ta lëkundin ndjeshëm ndjenjën e stabilitetit dhe kënaqësisë. Gjithashtu, mungesa e aktivitetit fizik, ushqimi jo i shëndetshëm, mbipesha dhe problemet me gjumin mund ta përkeqësojnë gjendjen emocionale dhe perceptimin për veten. A lidhet pakënaqësia kronike me çrregullimet mendore? Hulumtimet tregojnë lidhje të qartë mes pakënaqësisë afatgjatë dhe zhvillimit të depresionit e ankthit. Personat që për një kohë të gjatë ndiejnë mungesë kënaqësie nga jeta kanë rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar çrregullime depresive. Pakënaqësia mund të jetë njëkohësisht shkak dhe pasojë e ankthit, sidomos te të rinjtë. Si trajtohet pakënaqësia kronike? Lajmi i mirë është se pakënaqësia kronike mund të trajtohet me sukses. Një nga qasjet më efektive është terapia kognitive-biheviorale, e cila ndihmon personin të njohë dhe të ndryshojë modelet negative të mendimit që e mbajnë gjallë këtë ndjenjë. Shpesh përdoret edhe terapia e pranimit dhe përkushtimit, që ndihmon njerëzit të pranojnë gjërat që nuk mund t’i ndryshojnë dhe t’i harmonizojnë vendimet me vlerat personale. Tek personat që nuk janë të kënaqur me qëllimet jetësore apo karrierën, ndihmë mund të ofrojë edhe puna me një “life coach”, megjithëse kjo nuk zëvendëson psikoterapinë, por shërben si mbështetje shtesë kur problemet emocionale nuk janë shumë të theksuara. /Telegrafi/
Go to News Site