Telegrafi
Pjesa e parë e miqësores Çeki–Kosovë u mbyll me epërsinë 2-0 të vendasve, në një 45-minutësh ku Çekia ishte më konkrete në zonë, ndërsa Kosova pati momente të mira në lojë dhe edhe një rast serioz për të ngushtuar rezultatin. Kosova krijoi rast në minutën e 4-t, kur një top i ardhur në zonë e gjeti Albion Rrahmanin në pozicion të mirë, por portieri Lukas Hornicek reagoi saktë dhe e ndali goditjen e ulët në mes të portës. Çekët kaloi në epërsi në minutën e 12-të, Tomas Ladra realizoi për 1-0, pasi u shkëput mirë në zonë dhe me kokë shfrytëzoi krosimin e David Douderas, duke e dërguar topin në këndin e majtë poshtë, pa i lënë shumë mundësi Arijanet Muriqit. Ndeshja u zhvillua me duele të forta në mesfushë, ku Kosova bëri disa faulle në përpjekje për ta ndalur ritmin e Çekisë, ndërsa Veldin Hoxha pati edhe një tentim nga distanca në minutën e 17-të, por goditja e tij shkoi pa shumë fuqi dhe u prit lehtë nga Hornicek. Në anën tjetër, Çekia rrezikoi disa herë me Lukas Cerv, i cili testoi Muriqin në minutën e 26-të me një goditje drejt këndit të djathtë poshtë, por portieri i Kosovës ndërhyri mirë. Në minutën e 32-të, Çekia e shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë për ta dyfishuar epërsinë. Adam Hlozek u fut në zonë pas asistimit të Chytil dhe realizoi nga afërsia për 2-0. Pas golit të dytë, Kosova u përpoq të marrë më shumë kontroll të topit dhe pati një fazë me qarkullim më të mirë, duke kërkuar hapësira për të goditur në kundërsulm. Rasti më i mirë i Kosovës në pjesën e parë erdhi në minutën e 44-të, kur Mergim Vojvoda provoi nga jashtë zonës, por topi shkoi pak mbi traversë. /Telegrafi/
Go to News Site