Telegrafi
Ylli i Barcelonës dhe i kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, ka pranuar se pati frikë se mund ta humbiste Kupën e Botës 2026 pasi pësoi një dëmtim në ndeshjen ndaj Espanyolit në muajin prill. 18-vjeçari, i cili konsiderohet si një nga figurat kryesore të Spanjës për turneun në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, aktualisht po rikuperohet nga një lëndim në muskujt e pasëm të kofshës. Trajneri Luis de la Fuente kishte deklaruar pas publikimit të listës së të ftuarve se lojtarët që nuk do të jenë gati për ndeshjen hapëse do të mund të rikthehen për sfidën e dytë kundër Arabisë Saudite. Megjithatë, ka pasur dyshime se Yamal mund ta humbasë edhe atë takim. Duke folur për Marca nga grumbullimi i kombëtares spanjolle, sulmuesi i Barcelonës tregoi momentet e ankthit që përjetoi menjëherë pas lëndimit. “Po, e kujtoj saktësisht momentin kur u lëndova. Po lutesha që të mos ishte diçka serioze, ndoshta vetëm një ngërç, sepse Kupa e Botës ishte shumë afër. E dija se bëhej fjalë për një dëmtim në muskujt e pasëm të kofshës, diçka që nuk më kishte ndodhur më parë. Kisha frikë se mund të ishte serioze, por edhe se mund të mos ishte aq e rëndë dhe të pësoja një rikthim të dëmtimit që do të më kushtonte pjesëmarrjen në Kupën e Botës”, deklaroi Yamal. Megjithëse do të preferonte të ishte në formë optimale që nga fillimi i turneut, ai pranoi se periudha e pushimit mund t’i shërbejë për të rikuperuar energjitë pas një sezoni të ngarkuar. “Është e vërtetë që të luash në një Kupë Bote të jep një motivim të jashtëzakonshëm. Mendërisht ndihem sikur nuk kam luajtur asnjë ndeshje gjatë sezonit dhe mezi pres të bëj debutimin tim në këtë turne”. Yamal foli edhe për presionin që e shoqëron në këtë fazë të karrierës, duke theksuar se ai e sheh atë si një motiv shtesë. “Presioni më pëlqen. Kur standardet janë më të larta, edhe niveli yt rritet. Nëse do të kisha të njëjtat pritshmëri si çdo lojtar tjetër, ndoshta nuk do të luaja në nivelin ku jam sot. E shoh si një sfidë dhe e shijoj shumë”. Lamine Yamal gati për ndeshjen hapëse të Spanjës në Kupën e Botës Ai shtoi se ende e ka të vështirë ta besojë rrugëtimin e tij të shpejtë drejt elitës së futbollit. “Në mendjen time duket sikur kam luajtur futboll prej 10 vitesh, por në realitet kanë kaluar vetëm tre. Katër vite më parë luaja me miqtë në qendrën sportive, ndërsa tani do të luaj në një Kupë Bote. Është diçka e çmendur, vërtet e pabesueshme”. Yamal nuk është i vetmi shqetësim për trajnerin De la Fuente para nisjes së turneut. Edhe Nico Williams vazhdon të rikuperohet nga një dëmtim pas një sezoni të vështirë, ndërsa Mikel Merino është rikthyer në dispozicion pas një mungese të gjatë dhe tashmë konsiderohet i gatshëm për të luajtur. /Telegrafi/
Go to News Site