Telegrafi
Legjenda e tenisit, Serena Williams, ka konfirmuar rikthimin e saj në arenën profesioniste në moshën 44-vjeçare, gati katër vjet pas ndeshjes së saj të fundit zyrtare. Fituesja e 23 titujve Grand Slam do të garojë në turneun HSBC Championships në Queen’s Club të Londrës, që nis më 8 qershor. Amerikania ka marrë një ftesë speciale (wild card) për garën e dysheve, ku do të luajë së bashku me talenten kanadeze Victoria Mboko. Organizatorët e turneut e konfirmuan lajmin me mesazhin: “Mbretëresha është kthyer!”, ndërsa vetë Serena publikoi një video në rrjetet sociale duke lënë të kuptohet se rikthimi i saj tashmë është zyrtar. “Queen’s Club më duket vendi ideal për të nisur këtë kapitull të ri. Bari më ka dhuruar disa nga momentet më të veçanta të karrierës sime dhe jam e emocionuar që rikthehem në garë”, deklaroi Williams. Ndeshjen e fundit zyrtare ajo e zhvilloi në US Open 2022, kur arriti deri në raundin e tretë. Edhe pse u largua nga tenisi për t’iu përkushtuar jetës private dhe familjes, Serena nuk e shpalli kurrë zyrtarisht fundin e karrierës. Gjatë karrierës së saj të jashtëzakonshme, Williams ka fituar shtatë tituj në Wimbledon në kategorinë individuale dhe gjashtë në dyshe së bashku me motrën e saj, Venus Williams. Good news travels fast. pic.twitter.com/R7x7EFPUJ8 — Serena Williams (@serenawilliams) June 1, 2026 Rikthimi i Serena Williams konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha të vitit në botën e tenisit, ndërsa mbetet të shihet nëse ajo do të garojë edhe në Wimbledonin e këtij viti. /Telegrafi/
Go to News Site