Telegrafi
Talenti i ri i RB Leipzigut, Yan Diomande, ka pranuar publikisht se ëndrra e tij është të bëjë hapin drejt një prej gjigantëve të futbollit evropian, teksa vazhdon të lidhet me klube si Bayern Munich, Liverpool dhe Paris Saint-Germain. Anësori i talentuar, i cili konsiderohet si një nga lojtarët më premtues të brezit të tij, reagoi edhe ndaj raportimeve se Leipzig i ka vendosur një çmim prej rreth 100 milionë eurosh. “Po, duket se është kështu, por nuk e di nëse të gjithë mund ta përballojnë një shumë të tillë”, deklaroi Diomande. Megjithatë, 19-vjeçari nuk e fshehu ambicien për të luajtur në nivelet më të larta të futbollit evropian. “Nuk do të përmend Parisin, Liverpoolin apo Real Madridin, por do të ishte një ide e mirë të luaja për klube të mëdha. Të gjithë kanë ambicie dhe çdo ditë dëshiron të arrish më lart”. “Fillimisht ishte Leganes, tani jam lojtar i Leipzigut dhe nuk do t’i fsheh dëshirat apo ëndrrat e mia. Sigurisht që dua të luaj për një klub të madh”, u shpreh ai. Liverpooli gati të paguaj 100 milionë euro për talentin e Bundesligës Deklarata e Diomandes pritet të shtojë edhe më shumë spekulimet rreth së ardhmes së tij. Interesimi i klubeve elitare të Evropës nuk është i rastësishëm, pasi paraqitjet e tij me Leipzigun kanë tërhequr vëmendjen e shumë skautëve dhe drejtuesve sportivë. Nëse Leipzig vendos ta nxjerrë në shitje yllin e ri, gara për firmën e tij mund të jetë një nga historitë më të nxehta të afatit kalimtar të verës. Bayern Munich, PSG dhe Liverpool po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa vetë lojtari duket i gatshëm për hapin e madh në karrierë. /Telegrafi/
Go to News Site