Telegrafi
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se bashkë me Ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, kanë vizituar punimet në rrugën “Gurët e Gjatë” në fshatin Harilaq, ku po realizohet asfaltimi i kësaj rruge. Në një postim në Facebook, Prebreza ka thënë se investimi është i rëndësishëm për banorët e zonës dhe se punimet po zhvillohen sipas planit. “Sot, së bashku me Ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, vizituam nga afër punimet në rrugën ‘Gurët e Gjatë’ në fshatin Harilaq, ku po realizohet asfaltimi i kësaj rruge me rëndësi për banorët e zonës”, ka shkruar Prebreza. Ai ka theksuar se investimi, sipas tij, dëshmon përkushtimin për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët, duke nënvizuar edhe bashkëpunimin mes nivelit lokal dhe atij qendror. “Ky investim është dëshmi e përkushtimit tonë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët. Me bashkëpunim të ngushtë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, po vazhdojmë të realizojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar ai. Në fund, Prebreza ka shtuar se punët po ecin sipas planifikimit dhe ka paralajmëruar angazhim për investime të tjera në komunë. “Punët po zhvillohen sipas planit dhe do të vazhdojmë me angazhim të plotë për të sjellë investime të reja në çdo pjesë të komunës sonë”, ka përfunduar Prebreza. /Telegrafi/
Go to News Site