Telegrafi
Analisti i sigurisë, Avni Islami ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me deklaratat e politikanit serb Milovan Drecun, i cili ka komentuar vizitën në Kosovë të ministrit shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Ferit Hoxha. Në reagimin e tij, Islami ka kritikuar ashpër deklaratat e Drecun, duke i cilësuar ato si pjesë e propagandës dhe narrativave dezinformuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. "Reagim me shkas. Milovan Drecun, i njohur si një ndër eksponentët më të zëshëm të ultra-nacionalizmit serb dhe propagandës kundër shqiptarëve dhe Republika e Kosovës, ka reaguar ndaj vizitës së fundit në Kosovë të Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republika e Shqipërisë, Ferit Hoxha", ka shkruar ai. tutje Islami tha se Drecun deklaroi se qëndrimi i ministrit shqiptar, sipas të cilit Kosova përbën prioritet absolut të politikës së jashtme të Shqipërisë, paraqet vazhdimësi të së ashtuquajturës “politikë të Shqipërisë së Madhe” dhe, sipas tij, përbën kërcënim për sigurinë e Serbisë. "Ai pretendoi se mbështetja për pavarësinë e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me realizimin e këtij projekti politik, duke shtuar se deklaratat e Hoxhës dëshmojnë se Kosova trajtohet si pjesë integrale e Shqipërisë. Deklarata të tilla përfaqësojnë vazhdimësi të propagandës dhe dezinformatave që Serbia përdor sistematikisht në kuadër të luftës hibride kundër Republika e Kosovës dhe stabilitetit në rajon. Pretendimet se institucionet shqiptare e konsiderojnë Kosovën pjesë të territorit të Shqipërisë janë narrativë politike e fabrikuar, me qëllim të nxitjes së tensioneve, ushqimit të frikës dhe pengimit të proceseve të normalizimit", ka shkruar Islami. /Telegrafi/
Go to News Site