Collector
Gjermania dhe Franca me “non-paper” për Ballkanin Perëndimor para samitit në Mal të Zi | Collector
Gjermania dhe Franca me “non-paper” për Ballkanin Perëndimor para samitit në Mal të Zi
Telegrafi

Gjermania dhe Franca me “non-paper” për Ballkanin Perëndimor para samitit në Mal të Zi

Berlini dhe Parisi, në një dokument joformal, i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të paraqesë propozime për lehtësimin e integrimit gradual të vendeve kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo do të duhej të përfshinte, ndër të tjera, qasje të privilegjuar në tregun e brendshëm mbi bazën e përparimit të tyre të rëndësishëm në negociata, si dhe lidhje më të ngushta me institucionet evropiane në procesin e përditshëm të vendimmarrjes, për shembull përmes dhënies së statusit të vëzhguesit vendeve kandidate në mbledhjet e institucioneve të BE-së, nën kushte që respektojnë autonominë e procesit të vendimmarrjes së BE-së. “Politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri – samitet e ardhshme që BE do të mbajë me Ballkanin Perëndimor (5 qershor) dhe me Moldavinë (22 qershor) përfaqësojnë një mundësi që nuk duhet humbur. Qëllimi ynë i përbashkët është përfundimi i Bashkimit si një Bashkim vërtet Evropian. Për ta shndërruar këtë synim në realitet dhe për t’i dhënë një dinamikë të re, duhet të sigurojmë nxitje shtesë si pjesë e procesit të integrimit gradual të bazuar në meritë dhe të thjeshtojmë procesin aktual për ta bërë më efikas dhe për të mundësuar integrim më të shpejtë dhe më të thellë në BE, në bazë të kritereve të Kopenhagës”, thuhet në dokument. Ideja e Merz për “anëtarësim të asociuar”, Konjufca: S’mbështesim kurrfarë propozimi që krijon dhoma të pritjes në BE Theksohet se synimi i anëtarësimit të plotë në BE mbetet i pandryshuar dhe se integrimi gradual nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin e plotë apo të zgjasë rrugën drejt tij, raporton rtcg . “Përkundrazi, ne duam të krijojmë nxitje që e inkurajojnë përparimin më të shpejtë në këtë rrugë. Në këtë mënyrë sigurojmë që integrimi gradual të kontribuojë në zgjerimin e suksesshëm të BE-së – duke e forcuar BE-në në tërësi”, thuhet më tutje. Propozohet thjeshtimi i metodologjisë së negociatave, duke bashkuar disa hapa proceduralë dhe duke theksuar se puna e vendeve kandidate, Komisionit dhe Këshillit duhet të përqendrohet në thelbin e reformave, jo në procedurat, transmeton Telegrafi. Në dokument thuhet se përmes integrimit të strukturuar gradual synohet t’u jepet vendeve kandidate një nxitje shtesë për reforma. Cili është kuptimi i termit “non-paper” në fushën e diplomacisë, kur dhe pse përdoret? Po ashtu propozohet që, nëse plotësohen kushte të caktuara, dy herë në vit të mbahen takime të përbashkëta mes Komisionit Evropian, anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë; që komitetet e përbashkëta parlamentare të mblidhen më shpesh; si dhe që përfaqësuesit e këtyre vendeve të mund të marrin pjesë në pika të caktuara të rendit të ditës në mbledhjet joformale të Këshillit Evropian dhe Këshillit të BE-së si vëzhgues pa të drejtë vote. Vendeve kandidate u ofrohet pjesëmarrje e plotë në tregun e vetëm mbi bazën e modelit të Zonës Ekonomike Evropiane plus. Kjo do të thotë se, si vendet e EEA-së (Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia), ato do të kishin qasje në tregun e përbashkët evropian. Kusht për këtë do të ishte miratimi dhe zbatimi i “acquis communautaire” të BE-së nga pesë grupet e para të kapitujve negociues, si dhe mbyllja e përkohshme e kapitujve përkatës të negociatave. /Telegrafi/

Go to News Site