Telegrafi
Barcelona do të ketë një numër të madh futbollistësh të përfaqësuar në Kupën e Botës 2026, me lojtarët e skuadrës katalanase që do të mbrojnë ngjyrat e kombëtareve të tyre në turneun më prestigjioz të futbollit. Mes tyre, pesë futbollistë pritet të përjetojnë për herë të parë emocionet e një Kampionati Botëror. Në krye të listës është talenti spanjoll Lamine Yamal, i cili do të debutojë me Spanjën në Kupën e Botës. Sulmuesi i ri konsiderohet një nga armët kryesore të “La Roja” dhe pritet të ketë një rol vendimtar në ambiciet e kombëtares spanjolle për të synuar trofeun. Po ashtu, portieri Joan Garcia do të marrë pjesë për herë të parë në një Botëror, ndërsa mbrojtësi i talentuar Pau Cubarsi do të synojë të sigurojë një vend në formacionin titullar të Spanjës. Debutim në Kupën e Botës do të ketë edhe përforcimi më i ri i Barcelonës, Anthony Gordon, i cili do të përfaqësojë Anglinë në turneun që zhvillohet këtë verë. Ndërkohë, talenti i akademisë katalanase, Hamza Abdelkarim, do të shkruajë historinë personale duke marrë pjesë për herë të parë në një Kampionat Botëror me kombëtaren e Egjiptit. Kupa e Botës 2026 pritet të jetë një skenë e rëndësishme për këta futbollistë të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të dëshmojnë cilësitë e tyre në nivelin më të lartë të futbollit ndërkombëtar. /Telegrafi/
Go to News Site