Collector
Cili nga kandidatët për deputet ka qenë profesori i Adriatik Kelmendit? | Collector
Cili nga kandidatët për deputet ka qenë profesori i Adriatik Kelmendit?
Telegrafi

Cili nga kandidatët për deputet ka qenë profesori i Adriatik Kelmendit?

Një moment interesant shënoi fillimin e intervistës së kandidatit të LDK-së për deputet, Riza Krasniqi (105), në emisionin Rubikon. Moderatori Adriatik Kelmendi, një nga gazetarët më të njohur në vend, zbuloi para publikut se vite më parë kishte qenë nxënës i Krasniqit në shkollë të mesme, ku ai ligjëronte lëndën e informatikës. Duke kujtuar ato vite, Kelmendi tha se orët e profesorit Krasniqi dallonin nga mësimi tradicional. “T’ju tregoj edhe shikuesve se ju kam pasur profesor në shkollë të mesme. Edhe pse ishit profesor i informatikës, gjysmën e orës e kalonit duke folur për diçka të re, inovative dhe teknologjike, ndërsa gjysmën tjetër për çështje për të cilat ne nuk kishim ardhur aty për të mësuar, por që ju mendonit se ishin të rëndësishme për Kosovën dhe për shqiptarët. Ishin vitet e ’90-ta”, tha Kelmendi. Ai përmendi gjithashtu angazhimin e hershëm publik të Krasniqit, duke kujtuar se vite më parë kishte qenë mysafir në Rubikon për të folur për lëvizjen e pajtimit të gjaqeve, ndërsa sot rikthehet në studio si kandidat për deputet. Momenti tërhoqi vëmendjen e publikut pasi solli një anë më pak të njohur të kandidatit, duke e paraqitur atë jo vetëm në rolin e politikanit, por edhe si profesor që ka ndikuar në formimin e brezave të rinj gjatë viteve të vështira të Kosovës. Pas transmetimit të intervistës, Krasniqi ndau këtë pjesë në rrjetet sociale, duke e cilësuar kujtimin e Kelmendit si një nga vlerësimet më domethënëse që mund të marrë një mësimdhënës. Për shumë shikues, ky ishte një rikujtim se para angazhimit politik, Riza Krasniqi kishte kaluar dekada në arsim, duke edukuar gjenerata të tëra nxënësish dhe duke nxitur tek ata interesimin jo vetëm për teknologjinë dhe inovacionin, por edhe për çështjet që lidhen me të ardhmen e vendit.

Go to News Site