Telegrafi
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës, në një mesazh të publikuar mbrëmjen para nisjes së heshtjes zgjedhore. Përmes një postimi, Abdixhiku shprehu mirënjohje për, siç tha ai, inkurajimin, dorështrëngimet, fjalët e mira dhe besimin, si dhe për takimet “në rrugë, në lagje e në shesh”. “Për çdo buzëqeshje, për çdo përqafim, për çdo kritikë të sinqertë e çdo shpresë të ndarë bashkë”, ka shkruar ai, duke theksuar se fushata, sipas tij, nuk u ndërtua mbi ndarje, por mbi bashkim. “Këtë rrugëtim nuk e bëmë duke ndarë njerëz. E bëmë duke i bashkuar… Nuk e bëmë me zhurmë e mllef. E bëmë me besim se Kosova ka një rrugë të ndritur përpara”, u shpreh Abdixhiku. Në fund, ai tha se vendimi tani është në duart e qytetarëve, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “E nesërmja e Kosovës është e bukur! Dritë do të ketë!”
Go to News Site