Collector
Dy të arrestuar në Pejë, dyshime për ndikim në vota në favor të Listës Serbe | Collector
Dy të arrestuar në Pejë, dyshime për ndikim në vota në favor të Listës Serbe
Telegrafi

Dy të arrestuar në Pejë, dyshime për ndikim në vota në favor të Listës Serbe

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”, pas dyshimeve për ndërhyrje në procesin zgjedhor në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës. Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, veprimet policore janë ndërmarrë pas pranimit të një informacioni për aktivitete të dyshuara të kundërligjshme që lidhen me ndikimin në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë zgjedhjeve. Hetimet fillestare kanë ngritur dyshime se në rastin e ndodhur në zonën e Pejë, është tentuar të ndikohet orientimi i votuesve për të votuar për një subjekt politik të caktuar. "Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, me datë 07.06.2026, ka pranuar njё informacion, që ndërlidhet me dyshimet për aktivitete të kundërligjshme, me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, i cili dyshohet se ka ndodhur konkretisht në fshatin Gorazhdec-Pejë, për të orientuar, ndikuar te qytetarët që të votojnë Listën Serbe", thuhet në njoftim. Njësitë relevante policore, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, kanë kryer bastisje në terren, ku janë hasur dhe arrestuar dy persona meshkuj të nacionalitetit serb, të dyshuar për përfshirje në këtë rast. Të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit rajonal dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës lirshëm dhe pa presion, si dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të ndikimit apo parregullsive gjatë procesit zgjedhor tek institucionet kompetente. /Telegrafi/

Go to News Site