Telegrafi
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar për përfundimin e punimeve për sanimin e rrëshqitjes së dheut në Carralevë, e cila sipas tij kishte rrezikuar seriozisht trupin e rrugës dhe sigurinë e qytetarëve. Ai ka bërë të ditur se ka qenë i pranishëm në përfundimin e punimeve, së bashku me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu. Basha ka theksuar se intervenimi është bërë menjëherë pas marrjes së detyrës, duke e cilësuar rastin si prioritet për institucionet përgjegjëse. Në deklarimin e tij, ministri në detyrë ka thënë: “Kjo rrëshqitje rrezikonte të dëmtonte tërësisht trupin e rrugës dhe paraqiste rrezik serioz për qytetarët që e shfrytëzojnë këtë aks rrugor”. Ai ka shtuar se procedurat janë përshpejtuar në koordinim me administratën për të realizuar sanimin në kohë të shkurtër. Në njoftim thuhet: “Menjëherë pas marrjes së detyrës, në koordinim me administratën, kemi vepruar me prioritet të lartë, duke përshpejtuar procedurat dhe realizuar sanimin e dëmit në kohë rekord”. Sipas Bashës, rruga tashmë është plotësisht e hapur dhe e sigurt për qarkullim. “Vazhdojmë me punë të mira e të mbara,” ka thënë ai në fund të deklaratës. / Telegrafi /
Go to News Site