Telegrafi
Filmi Aventurat e Princit Ahmed i Lotte Reinigerit pati premierën një shekull më parë, në vitin 1926. Ky klasik i animacionit, me teknikën kuadër për kuadër [stop-motion], e bën regjisoren të jetë “një figurë kyçe në historinë e kinemasë.” Nga: Christian Kriticos / BBC (titulli: 'She beat Disney by a decade': How a 26-year-old German woman made the world's oldest animated feature film ) Përkthimi: Telegrafi.com Fillimet në industrinë e filmit nuk janë gjithmonë magjepsëse. Në epokën e filmave pa zë, aktorja aspirante gjermane, Lotte Reiniger, e nisi karrierën e saj në një përshtatje filmike të përrallës popullore Fyelltari i Hamelinit . Por, ajo nuk ishte para kamerës. Detyra e saj ishte të merrej me minjtë. Pavarësisht këtij fillimi jo fort premtues, Reinigeri do të fitonte shumë shpejt një vend në historinë e kinemasë. Vetëm pak vite pas përvojës së saj me “drejtimin” e minjve, ajo u ul në karrigen e regjisores. Ishte moment goxha i jashtëzakonshëm - në vitet ‘20 të shekullit XX, pak grave u jepej mundësia të bënin regjinë e filmave. Por, projekti i Reinigerit ishte veçanërisht novator. I shfaqur një shekull më parë, në vitin 1926, Aventurat e Princit Ahmed njihet si filmi më i vjetër i animuar me metrazh të gjatë që ka mbijetuar deri në ditët tona - pavarësisht asaj që publicistët e Walt Disneyt do të preferonin të besohej. Filmi Borëbardha dhe shtatë xhuxhët i Disneyt konsiderohet shpesh si filmi i parë i animuar me metrazh të gjatë. Por, Lotte e parapriu Waltin me më shumë se një dekadë. “Nuk mund të mendosh për ndonjë figurë të barasvlershme me Lotte Reinigerin,” thotë Jez Stewart, kurator i animacionit në Institutin Britanik të Filmit. “Kjo artiste e re krijoi me vizion dhe aftësi një klasik të përjetshëm që vazhdon të komunikojë me publikun në mbarë botën. Edhe pas 100 vjetësh ne ende pyesim veten: ‘Si ia doli ta bënte këtë?’” Reinigeri lindi në Berlin në vitin 1899. Në vitet e hershme ajo kishte interes për aktrimin, përmes teatrit të hijeve, duke prerë figura siluetash me të cilat vinte në skenë shfaqje të vogla të Shekspirit. Pikërisht aftësia e saj me gërshërë e çoi në xhirimet e filmit Fyelltari i Hamelinit (ajo i preu me dorë titujt e filmit). Por, në fund ishin minjtë ata që do të kishin ndikimin më të madh. Siç ka thënë ajo në librin e vitit 1970, Kukullat e hijes, teatrot e hijeve dhe filmat e hijeve , kafshët nuk bashkëpunonin: asnjë prej tyre nuk pranonte të ndiqte Fyelltarin. Kështu, realizuesit e filmit i zëvendësuan me minj prej druri. Ata filmonin një kuadër në një kohë, duke i lëvizur modelet pak nga pak dhe duke krijuar iluzionin e lëvizjes kur filmi projektohej. “Ky ishte takimi im i parë me animacionin,” shkroi Reiniger. Kjo ia dha asaj një ide: mund t’u jepte jetë kukullave të saj tradicionale të hijes, duke përdorur këtë teknikë të kuadrit për kuadër. Lotte Reiniger u jepte jetë siluetave të saj të prera me dorë Ajo eksperimentoi duke vendosur siluetat e saj të shtrira mbi një pllakë qelqi, të ndriçuar nga poshtë. Ndërsa rregullonte lëvizjet e tyre kuadër pas kuadri, një kamerë i regjistronte pamjet nga sipër. Ishte një proces tepër i mundimshëm, që kërkonte më shumë se një mijë kuadro për çdo minutë filmi. Por, në vitin 1919, ajo kishte përfunduar filmin e saj të parë të shkurtër, Stolia e zemrës së dashuruar . Gjatë viteve pasuese realizoi edhe disa filma të tjerë. “Ajo ishte gjithmonë e interesuar për përrallat,” i tha Stewarti, BBC-së, duke përmendur adaptimet e saj të hershme të Bukuroshes së fjetur dhe Hirushes . “Madje realizoi edhe një reklamë për kremin Nivea .” Në atë kohë, animacioni ishte ende në hapat e parë të zhvillimit ( Miki Mausi nuk do të shfaqej edhe për një dekadë tjetër), ndaj spikatën filmat e shkurtër të Reinigerit. Në vitin 1923, ata tërhoqën vëmendjen e një bankieri nga Berlini, i cili ofroi financat për një prodhim më të gjatë. “Mundësia për të realizuar një film të animuar me metrazh të gjatë, në atë kohë, ishte një përjashtim i rrallë,” shpjegon Stewart. “Por, ky përjashtim lidhej me mënyrën se si Reiniger i bënte filmat. Ishte një metodë artizanale dhe e përballueshme, që përdorte mjete të kufizuara.” - YouTube Arritja më e madhe teknike e filmit Pasi pranoi ofertën, ajo punoi vetëm me një grup të vogël bashkëpunëtorësh. Mes tyre kishte disa animatorë, një asistente që mbante shënime për kuadrot e filmuara, si dhe bashkëshortin e saj i cili kontrollonte kamerën. Përveç regjisurës, Reinigeri ndërtoi vetë kukullat-siluetë, duke prerë personazhet nga kartoni dhe plumbi, përpara se t’ua fiksonte nyjat me mentesha prej teli. Ajo hartoi gjithashtu subjektin e filmit, duke bashkuar disa përralla të Lindjes së Mesme në një histori të vetme, Aventurat e Princit Ahmed . Historia ndjek princin e përmendur në titull teksa përballet me një magjistar që ndryshon formë nëpër aventura të ndryshme. Një shekull më vonë, shumë prej skenave mistike të filmit vazhdojnë të mahnitin. Në një nga skenat më të spikatura, magjistari lufton me një shtrigë, ndërsa të dy shndërrohen në luanë, akrepa dhe dragonj gjatë ballafaqimit. Përqendrimi te miti dhe magjia ishte krejtësisht i natyrshëm për animacionin. Siç shprehej vetë Reiniger në një artikull reviste, animacioni i mundësonte asaj “të paraqiste ngjarje që nuk mund të realizoheshin me asnjë mjet tjetër.” Përqendrimi te miti dhe magjia ishte krejtësisht i përshtatshëm për animacionin Por, arritja më e madhe teknike e filmit qëndronte te imazhet e sfondit. “Ajo prezantoi një version të hershëm të kamerës multiplanëshe,” shpjegon Cristina Formenti, presidente e Shoqatës për Studimet e Animacionit. “E përdori për të krijuar ndjesinë e thellësisë. Kur e sheh filmin, kupton se nuk bëhet fjalë thjesht për një imazh të sheshtë.” Pajisja e Reinigerit ishte në thelb një skelë. Kamera vendosej në pjesën e sipërme dhe filmonte poshtë përmes disa shtresave qelqi. Ajo vendoste personazhet-siluetë në një shtresë, ndërsa sfondet dhe efektet animoheshin në nivele të tjera. Më vonë ajo e shpjegoi teknikën në librin e saj, duke iu referuar një skene ku Princi Ahmed fluturon mbi kalin e tij fluturues. “Qielli me yje ishte realizuar në tri shtresa. Të tria lëviznin me shpejtësi të ndryshme ... Ky kombinim lëvizjesh krijonte ndjesinë e hapësirës, duke i dhënë skenës një cilësi të çuditshme dhe fantastike.” Megjithëse ishte pioniere e këtij inovacioni, ajo nuk mori shumë vlerësim për të. Në vitin 1940, Walt Disney mori një patentë amerikane për kamerën multiplanëshe. Në vitin 2000, ai u pranua në Sallën Kombëtare të Famës së Shpikësve për shpikjen e kësaj pajisjeje. “Natyrisht, versioni i Disneyt ishte më kompleks,” thotë Formenti. “Por, Reinigeri është personi i parë për të cilin dihet se e ka përdorur.” Ky nuk ishte i vetmi rast kur arritjet e Disneyt lanë në hije Reinigerin. Në kutitë e DVD-ve dhe videove të studios është deklaruar se Borëbardha dhe shtatë xhuxhët ishte “filmi i parë i animuar me metrazh të gjatë i realizuar ndonjëherë,” një pretendim që përsërit marketingun fillestar të filmit në vitin 1937. “Disney ishte gjeni në shumë aspekte,” thotë Stewart. “Promovimi i vetes dhe marketingu ishin padyshim një prej tyre.” Posterët dhe paraqitja e shkurtër origjinale e filmit theksonin se Borëbardha ishte “prodhimi i parë me metrazh të gjatë i Disneyt.” Meqenëse emri Disney ishte bërë sinonim i animacionit, ideja se Borëbardha ishte filmi i parë i animuar në botë u përhap dhe u pranua shumë shpejt. Reiniger i vendoste figurat e saj të shtrira mbi një pllakë qelqi, të ndriçuar nga poshtë Megjithatë, edhe pse filmi i Reinigerit u realizua një dekadë më herët, historianët ende hezitojnë ta cilësojnë si filmin “më të vjetër” të animuar me metrazh të gjatë. Në vitin 1917, kineasti argjentinas Quirino Cristiani përdori një teknikë prerjeje, të ngjashme me atë të Reinigerit, për të realizuar një film të titulluar El Apóstol . Disa historianë besojnë se ai mund të ketë qenë filmi i parë i animuar me metrazh të gjatë në histori. Por, të gjitha kopjet e tij kanë humbur dhe kohëzgjatja e saktë e filmit nuk është dokumentuar. Përballë kësaj pasigurie, Stewarti parapëlqen ta përshkruajë Aventurat e Princit Ahmed si “filmi më i hershëm i animuar me metrazh të gjatë që ka mbijetuar,” dhe jo si më i vjetri. Me ndikim, por unik Sidoqoftë, filmi i Reinigerit ishte pa dyshim prodhimi më ambicioz i animuar i realizuar deri në atë kohë. Premiera e tij u dha në maj të vitit 1926, pasi kishte kërkuar tre vjet punë për t’u përfunduar. Ajo ishte vetëm 26 vjeçe. “T’i jepje dikujt tre vjet kohë për të realizuar një film - kjo nuk ndodhte në atë kohë,” thotë Stewart. “Është edhe një mënyrë tjetër që e bën këtë film një rast krejtësisht të pazakontë.” Gjatë viteve që pasuan, Aventurat e Princit Ahmed u shfaq në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Filmi u prit mirë si nga kritika ashtu edhe nga publiku. Regjisori Jean Renoir madje e krahasoi gjenialitetin e Reinigerit me atë të Mozartit. Megjithatë, ai nuk arriti kurrë vëmendjen e gjerë që fituan më vonë filmat e animuar si Borëbardha dhe shtatë xhuxhët e Disneyt. “Përfundoi duke u shpërndarë më shumë si një film eksperimental sesa si film zbavitës,” shpjegon Formenti. “Kjo e kufizoi shtrirjen e suksesit.” Pavarësisht shpërndarjes së kufizuar, Aventurat e Princit Ahmed ka vazhduar të mahnitë shikuesit për një shekull - dhe ka vazhduar të evoluojë. “Disa nga shfaqjet më të mira që kam parë kanë qenë ato me shoqërime të ndryshme muzikore,” thotë Stewart. Ai kujton një muzikant në Pekin që krijoi drejtpërdrejt një kolonë zanore, elektronike, duke përdorur një kompjuter portativ. Në muajin gusht ai ka planifikuar një shfaqje - për 100-vjetorin - në Institutin Britanik të Filmit, e cila shfaqje do të shoqërohet me muzikë të re të luajtur drejtpërdrejt. Shfaqjet e tjera përkujtimore të njëqindvjetorit janë mbajtur tashmë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Holandë, Republikën Çeke dhe në Gjermani - në vendlindjen e Reinigerit. Stewart shpreson gjithashtu se ky përvjetor i rëndësishëm do të tërheqë vëmendjen edhe te veprat e saj të mëvonshme. “Pas Princit Ahmed , ajo nuk pati më mundësi të realizonte një tjetër film me metrazh të gjatë,” thotë ai. “Por, pati njëfarë rëndësie dhe njohjeje gjatë viteve ’50 të shekullit XX.” Ajo iu rikthye rrënjëve të saj në botën e përrallave, duke krijuar një seri filmash të shkurtër të bazuar në tregime, si Maçoku me çizme dhe Gishtëza , të cilët u transmetuan nga BBC-ja dhe televizionet amerikane. Trashëgimia e Reinigerit shtrihet edhe te brezat pasues. Regjisorja Nora Twomey e ka përshkruar Reinigerin si “një ndikim të madh” në filmin e saj të nominuar për Oscar në vitin 2017, Kryefamiljarja . Por, sado ndikim të ketë pasur Reiniger, Stewarti beson se ajo mbetet një figurë unike. “Ajo ishte një artiste e re që realizoi një film të animuar me metrazh të gjatë - dhe ai vazhdon të qarkullojë edhe 100 vjet më vonë. Është thjesht e jashtëzakonshme.” Vendi i saj në librat e historisë është padyshim shumë larg fillimeve jo premtuese si kujdestare e minjve në një set filmik. Por, ashtu si në përrallat e saj, edhe historia e Lotte Reinigerit ka një prekje magjie. Është sikur ajo të ishte pajisur me fuqitë e shtrigave dhe magjistarëve të imagjinatës së saj - duke u dhënë jetë hijeve për të krijuar një trashëgimi që do të zgjaste një shekull, e madje edhe më shumë. /Telegrafi/
Go to News Site