Collector
Giriş Yap
Hapet aplikimi për bursat STEM për studentet që studiojnë shkencë | Collector
Hapet aplikimi për bursat STEM për studentet që studiojnë shkencë

Hapet aplikimi për bursat STEM për studentet që studiojnë shkencë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur thirrjen publike për ndarjen e bursave për studentet që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM) në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë. Përmes kësaj mbështetjeje, Ministria e Arsimit inkurajon pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në programet STEM dhe vlerëson se kontribon në fuqizimin e tyre akademik e profesional në sektorë me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit. Sipas njoftimit, të drejtë aplikimi kanë studentet e nivelit baçelor që janë regjistruar për herë të parë në vitin akademik 2025/2026 në programet STEM në universitetet publike të Kosovës, e të cilat kanë dhënë së paku dy provime të semestrit të parë. “Në këtë thirrje inkurajohen veçanërisht të aplikojnë studentet nga komunitetet jo-shumicë, studentet me aftësi të kufizuara dhe ato që vijnë nga zonat rurale.” – thuhet në njoftim. Kurse, procesi i aplikimit realizohet online përmes platformës e-Kosova, ndërsa aplikacionet duhet të përmbajnë dokumentacionin e kërkuar sipas kushteve të përcaktuara në konkurs. Konkursi është i hapur nga data 8 qershor 2026 deri më 22 qershor 2026. Në lidhje me kriteret e konkursit për të aplikuar mund të lexoni në këtë LINK . Ministria e Arsimit ka disa vite që i ndanë këto bursa, ndërsa vitin e kaluar e kishte hapur konkursin më 03.10.2025.

Go to News Site