Collector
Ekspozita me kopertinat më të këqija të albumeve: Qesharake apo makth? | Collector
Ekspozita me kopertinat më të këqija të albumeve: Qesharake apo makth?
Telegrafi

Ekspozita me kopertinat më të këqija të albumeve: Qesharake apo makth?

Muzeu përmban koleksionin e Steve Goldmanit, i cili blen disqe vetëm për shkak të shëmtisë të kopertinave të tyre. Nga: Mark Brown / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com “Është si pushtimi i rrëmbyesve lepurushë të trupave,” thotë JT Thompson, ish-këngëtari kryesor i rok-grupit amerikan të viteve ’70 të shekullit, Peter Rabbitt, teksa sheh atë që konsiderohet si një nga kopertinat më të këqija të disqeve në botë. Albumi Roadstar i vitit 1979 paraqet pesë anëtarët e rok-grupit nga Kalifornia, me fytyrat e tyre të montuara mbi trupa lepujsh, ndërsa Thompsoni shfaqet, si në një ëndërr të keqe, duke buzëqeshur brenda një kapele në formë cilindri. “Nuk kishim fare dijeni se do ta bënin këtë,” tha ai. “Madje, ky album doli pasi grupi ishte shpërbërë.” Kjo kopertinë është një nga disa qindra që janë ekspozuar në versionin më të fundit të një ekspozite që është shndërruar në një lloj fenomeni. Katër vjet më parë, The Guardian publikoi një reportazh për ekspozitën e parë Kopertinat më të këqija të disqeve në botë në Hadersfild. Që atëherë janë organizuar ekspozita të shumta në galeri dhe festivale, ndërsa më vonë gjatë këtij viti ajo do të jetë pjesë e Festivalit të Edinburgut. Steve Goldman gjatë prezantimit paraprak të ekspozitës së tij, për të cilën shpreson se do t’i bëjë vizitorët të qeshin Foto: Christopher Thomond/The Guardian Të gjitha kopertinat janë mbledhur nga kuratori i ekspozitës, Steve Goldman, dhe gjithçka nisi me Peter Rabbitt-in - arsyeja pse Thompsoni, nga San Diego, është i ftuari i nderit në hapjen e ekspozitës këtë fundjavë në Muzeun “Mansfield” në Notingemshir. Goldmani tha se e bleu albumin me lepuj 40 vjet më parë për 10 pensë, sepse kishte një kopertinë kaq të keqe. “Më bëri të qeshja ... isha në histeri.” Më pas e humbi albumin, por nuk e harroi kurrë dhe, kur u shfaq interneti, arriti të gjente një kopje të tij. “Kur mbërriti, ishte një nga momentet më të lumtura të jetës sime,” tha ai. “Atë mbrëmje i thashë familjes sime: ‘E dini çfarë? Mendoj se do të filloj të mbledh kopertina të tmerrshme LP-sh.’” Rregulli i përzgjedhjes i Goldmanit është i thjeshtë: nëse një kopertinë e bën të qeshë, ai e blen. Ndër albumet e ekspozuara janë Oil and Vinegar nga Dave McKenna/The Wilbur Little Quarter, me një çift të zhveshur dhe përdorimin e tyre shqetësues, ndoshta erotik, të asaj që mund të jetë panxhar; Songs for Gay Dogs nga Paddy Roberts; Do You Want to Touch Me nga Johnny Carroll; dhe nga Kris Jensen Sings: Torture . Ekspozita me kopertinat Kopertina e albumit "Roadstar" nga rok-grupi Peter Rabbitt, është një nga eksponatet në ekspozitën “Kopertinat më të këqija të disqeve në botë” në Muzeun “Mansfield”më të këqija të albumeve: Qesharake apo makth? Foto: Christopher Thomond/The Guardian Goldman tha se të preferuarat e tij ndryshojnë nga java në javë. Për momentin, mes tyre është All My Friends Are Dead nga Freddie Gage, ku këngëtari - një evangjelist baptist i jugut të ShBA-së - paraqitet i gjunjëzuar pranë një varri. “Është albumi më i shtrenjtë që kam blerë ndonjëherë - 110 paundë - por, ia vlen çdo qindarkë.” Shumica e albumeve janë nga vitet ’70-’80 të shekullit XX, por këngëtarët dhe grupet vazhdojnë të publikojnë albume me kopertina të tmerrshme edhe sot. Goldmani tregon albumin Handgemeng të grupit norvegjez Satanic Panic Attack, ku pesë anëtarët e grupit janë zhveshur krejtësisht dhe janë mbledhur me trishtim në një shtrojë duke u përqafuar me njëri-tjetrin. “Duken thjesht qesharakë,” tha Goldman duke qeshur. Meqenëse Muzeu “Mansfield” pritet të ketë shumë vizitorë fëmijë, disa nga kopertinat më provokuese të koleksionit të Goldmanit nuk do të ekspozohen. Nuk do të shfaqen Letzte Nach nga këngëtari gjerman i muzikës popullore Kingsize Dick dhe Let Me Touch Him nga Minister’s Quartet. Të premten, Thompsoni, 74 vjeç, vizitoi ekspozitën dhe njohu njerëzit me të cilët kishte punuar gjatë viteve. Aty është Dee Snider nga Twisted Sister, gati për t’u ngopur me një kockë lope; si dhe një Ted Nugent pothuajse i zhveshur, me krahë kitareje që të kujtojnë Terminatorin. “Ai është një tip i çmendur,” tha Thompsoni për Nugentin. “Një nga ata njerëz për të cilët nuk e dije kurrë se çfarë do të ndodhte më pas.” John Thompson, ish-vokalisti kryesor i Peter Rabbitt, duke mbajtur kopertinën e albumit të cilën ai pretendon se e pa vetëm pasi ishte publikuar dhe grupi ishte shpërbërë Foto: Christopher Thomond/The Guardian Thompsoni tha se kur e ka parë për herë të parë kopertinën e albumit me lepuj, mendoi se ishte e tmerrshme, por njëkohësisht “shumë, shumë qesharake ... Çfarë mund të bësh?” Vizitorët do të inkurajohen të votojnë për kopertinën e tyre të preferuar mes më të këqijave, si dhe të marrin pjesë në një sondazh për albume që ngjallin më shumë debate. Një shembull është albumi Lovesexy nga Prince, ku këngëtari, i zhytur në mendime, shtrihet lakuriq mbi një zambak gjigant. E tmerrshme apo gjeniale? Goldmani tha se aktiviteti i tij i preferuar gjatë ekspozitave është të vëzhgojë reagimet e njerëzve. Ai shpreson që vizitorët të qeshin. Ai e kujton një mike që pa një disk të titulluar The Nimble Fingers nga Jean Pierre Jumez, ku paraqitej një kitarist koncertesh i veshur me kostum, por pa pantallona. “Ajo qeshi më shumë se sa e kam parë të qeshë ndonjëherë në jetën e saj,” tha Goldmani. “Atëherë vendosa se duhej t’i ekspozoja. Për fat të keq, ende nuk e dimë pse ai nuk kishte veshur pantallona.” /Telegrafi/

Go to News Site