Telegrafi
Mesfushori brazilian Ederson ka përjetuar një nga thirrjet më të pazakonta në karrierën e tij, pasi është përfshirë papritur në listën e Brazilit për Botërorin 2026, pas një ndryshimi të detyruar në skuadër për shkak të dëmtimit të Wesleyt. Fillimisht i lënë jashtë listës nga trajneri Carlo Ancelotti, Ederson mori lajmin e grumbullimit ndërsa ndodhej në Campo Grande, ku po merrte pjesë në festimet e dasmës së mikut të tij, mesfushorit Romulo Zvarc. Situata u komplikua më tej kur u zbulua se lojtari nuk kishte me vete pasaportën, pasi e kishte lënë në Rio de Janeiro. Për ta zgjidhur problemin, miqtë e tij u nisën menjëherë për ta marrë dokumentin dhe për ta dërguar në Sao Paulo, nga ku ishte planifikuar nisja drejt Shteteve të Bashkuara për grumbullimin me kombëtaren. Ndërkohë, bashkëshortja e tij përgatiti me shpejtësi valixhen me sendet personale, ndërsa lojtari u largua nga festa dhe u nis drejt Sao Paulos për të kapur fluturimin. Një seri ngjarjesh të papritura e shndërruan grumbullimin e tij në një “aventurë të minutës së fundit”, por me një fund të lumtur për mesfushorin, i cili tashmë është pjesë e listës së Brazilit për Botërorin 2026. /Telegrafi/
Go to News Site