Telegrafi
Ministrja në detyrë e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka njoftuar për miratimin e Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Janjevës, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone me vlera të veçanta kulturo-historike. Në një postim publik, ajo ka bërë të ditur se ky vendim vjen pas investimeve të mëparshme në revitalizimin e qytetit të vjetër të Janjeva. Ajo ka theksuar rëndësinë e dokumentit të miratuar për mbrojtjen e trashëgimisë. “Është miratuar Plani i Menaxhimit për Qendrën Historike të Janjevës, dokumenti që përcakton mekanizmat dhe masat për mbrojtjen e vlerave historike, arkitektonike dhe të peizazhit kulturor të saj, duke siguruar që trashëgimia të mbetet pjesë aktive e jetës së komunitetit dhe një shtyllë e zhvillimit lokal”, shkroi Bogujevci. Bogujevci ka shtuar se Janjeva përfaqëson një trashëgimi të rëndësishme historike dhe identitare. “Janjeva është një vend me histori, identitet dhe kujtesë të pasur kolektive. Me këtë plan krijojmë bazën për mirëmbajtjen, aktivizimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të trashëgimisë së saj, ndërsa turizmi kulturor zhvillohet si rezultat i ruajtjes së këtyre vlerave dhe jo në dëm të tyre”, shtoi mes tjerash ajo. Në fund, ajo e ka cilësuar këtë vendim si një arritje në procesin e rijetësimit të zonës. “Kjo është një tjetër arritje e rëndësishme në rrugën e rijetësimit të Janjevës”, përfundon shkrimi i saj. /Telegrafi/
Go to News Site