Collector
Gjermani: Çfarë ndodh me miliardat në "llogaritë e fjetura"? | Collector
Gjermani: Çfarë ndodh me miliardat në
Telegrafi

Gjermani: Çfarë ndodh me miliardat në "llogaritë e fjetura"?

Më shumë se katër miliardë euro thuhet se "flenë” në Gjermani, në banka dhe institucione të tjera financiare, në të ashtuquajturat "llogari të harruara”, sipas një raporti të Ministrisë së Kërkimit nga viti 2021. Në disa raste mund të jenë edhe më shumë — vlerësime të tjera flasin deri në nëntë miliardë euro. Vetë bankat nuk kanë publikuar deri tani shifra. Në rast vdekjeje, shpesh për të afërmit dhe trashëgimtarët nuk është e lehtë të gjejnë llogari të tilla, sidomos sepse shumë njerëz kanë disa llogari. Pasuritë janë veçanërisht të vështira për t'u zbuluar kur, për shkak të bankingut online, nuk ka dokumente të shkruara ose ekstrakte të printuara të llogarisë, pasi informacionet ruhen në e-mail ose në hard-disqe. Pasuri jo tradicionale si kriptomonedhat ose NFT-të janë edhe më të vështira për t'u ndjekur. Çfarë janë llogaritë e fjetura? Në Gjermani nuk ka një përcaktim zyrtar për këto llogari. Llogaritë e braktisura, të harruara ose të fjetura janë zakonisht depozita bankare ose letra me vlerë – si aksione dhe obligacione – për të cilat nuk ka aktivitet për një kohë të gjatë. Këto llogari mund të mbeten joaktive për vite me radhë. Meqenëse nuk ka një kuadër ligjor të qartë, mënyra e trajtimit të këtyre llogarive u lihet kryesisht bankave. Shumica e institucioneve i konsiderojnë llogaritë si të fjetura kur mbajtësi i llogarisë ka vdekur, nuk mund të gjenden trashëgimtarë, nuk ka pasur kontakt për shumë vite, postat kthehen dhe të dhënat e tjera të kontaktit janë të vjetruara. Kjo situatë u jep gjithashtu bankave njëfarë hapësire veprimi për sa i përket intensitetit të kërkimit të pronarëve ose trashëgimtarëve. Një pengesë e madhe janë rregulloret e rrepta të mbrojtjes së të dhënave në Gjermani. Si mund të gjenden llogaritë e braktisura në Gjermani? Në Gjermani, llogaritë e fjetura nuk kalojnë në pronësi të bankave dhe as nuk transferohen te shteti. Bankat janë të detyruara t'i mbajnë këto llogari për një kohë të pacaktuar, dhe të drejtat e pronësisë – qofshin të pronarit fillestar apo të trashëgimtarëve – nuk skadojnë. Një llogari mund të kërkohet nga shteti gjerman vetëm nëse ai shpallet trashëgimtar sipas ligjit të trashëgimisë. Ajo nuk mund të kalojë te shteti bazuar në rregullat për pasuritë pa pronar. Sipas Beatrice Eisenschmidt, anëtare e bordit të Shoqatës Gjermane të Hulumtuesve të Trashëgimisë (VDEE) me seli në Berlin, masa më e rëndësishme do të ishte krijimi i një regjistri qendror për llogaritë e fjetura. Një regjistër i tillë do të ndihmonte për të përcaktuar nëse një person ka pasur llogari diku. Aktualisht, kërkesat duhet t'u drejtohen shoqatave të ndryshme bankare, gjë që kërkon shumë kohë dhe është e kushtueshme. Për trashëgimtarët, kjo shpesh është një përpjekje pa garanci, pasi ata ndonjëherë nuk e dinë fare nëse ekzistojnë pasuri. "Për këtë arsye, shumë trashëgimtarë heqin dorë nga këto kërkime”, tha Eisenschmidt për DW. Përpjekje për krijimin e një regjistri kombëtar Gati një dekadë më parë, Norbert Walter-Borjans, atëherë ministër i Financave i landit Renania-Veriore-Vestfalia (NRW), vlerësonte se rreth dy miliardë euro ndodheshin në llogari të fjetura në Gjermani. Ai kërkoi krijimin e një regjistri kombëtar për pasuritë e fjetura. Që atëherë janë bërë disa përpjekje për të krijuar një regjistër të tillë. Qeveria aktuale federale nën kancelarin Friedrich Merz ka paraqitur një projektligj që parashikon krijimin e një regjistri qendror, publikisht të aksesueshëm online, ku trashëgimtarët mund të kërkojnë informacion. Deri tani, megjithatë, nuk janë miratuar rregulla të reja. Pra, mbetet ende e paqartë se çfarë do të bëhet me këto para. Llogaritë e fjetura: në disa vende mund të kërkohen në çdo kohë Në Mbretërinë e Bashkuar, llogaritë e fjetura zakonisht transferohen pas 15 vjetësh në një fond të quajtur "Reclaim Fund”, por jo te shteti. Ky fond përdoret për të mbështetur projekte sociale dhe mjedisore. Trashëgimtarët kanë megjithatë të drejtën të kërkojnë paratë pa kufi kohor. Në Irlandë, pas një periudhe të ngjashme, paratë nga llogaritë e fjetura transferohen te shteti, i cili duhet t'i përdorë për projekte sociale. Para transferimit, institucionet janë të detyruara të publikojnë njoftime në dy gazeta kombëtare. Edhe këtu nuk ka afat për kërkimin e parave nga trashëgimtarët, përfshirë interesat e grumbulluara. Në SHBA, ligjet e shteteve federale rregullojnë trajtimin e këtyre llogarive. Në shumicën e rasteve, një llogari konsiderohet e fjetur pas tre deri në pesë vjet pa aktivitet. Më pas banka është e detyruar të kontaktojë mbajtësin e llogarisë. Nëse askush nuk gjendet, llogaria kalon te shteti përkatës, zakonisht ai i adresës së fundit të njohur të mbajtësit. Ajo administrohet nga një zyrë për "pasuri të pakërkuara” dhe ndonjëherë publikohen njoftime. Në shumicën e rasteve, pronarët mund të kërkojnë pasurinë e tyre pa kufi kohor. Në disa vende, paratë kalojnë te shteti Në Francë, bankat janë të detyruara të përpiqen të kontaktojnë mbajtësit e llogarive. Pas dhjetë vjetësh pa aktivitet, llogaritë dhe sigurimet e jetës transferohen në një institucion financiar publik, Caisse des Depots (CDC). Qeveria ofron një bazë të dhënash të kërkueshme, por nuk kërkon aktivisht pronarët. Pas 20 vitesh të tjera, fondet kalojnë në pronësi të shtetit francez dhe nuk mund të kërkohen më. Zvicra, e njohur për rregullat e saj specifike bankare, ndjek një qasje të ngjashme. Bankat pritet të ruajnë pasuritë dhe të menaxhojnë llogaritë e fjetura në interesin më të mirë të klientëve. Për të ndihmuar trashëgimtarët, ekziston një bazë qendrore e të dhënave për këto llogari. Pas 60 vjetësh pa kontakt, informacionet publikohen dhe trashëgimtarët kanë një vit kohë për të paraqitur kërkesat. Pas kësaj, të drejtat shuhen, llogaria mbyllet dhe kalon te shteti – përfshirë përmbajtjen e kasafortave. / DW /

Go to News Site