Telegrafi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ushtruar të drejtën e votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një moment të rëndësishëm për demokracinë në vend. Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje dhe përgjegjësinë që bart vota e secilit. “Sot është një ditë e rëndësishme për Republikën tonë. Ditë e demokracisë. Zgjedhjet në Kosovë janë festë qytetare; momenti kur secili qytetar, lirshëm e barabartë, vendos për drejtimin e vendit”, ka shkruar ai. Abdixhiku ka njoftuar gjithashtu se ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij. “Pak më parë, unë e Albina e ushtruam të drejtën tonë për të votuar”, ka bërë të ditur ai. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje me qetësi dhe dinjitet. “Votoni me qetësi, me dinjitet e me përgjegjësi. Me përgjegjësi për fatin e vendit tonë”, ka theksuar Abdixhiku. Në fund të reagimit të tij, kreu i LDK-së ka nënvizuar se fuqia e demokracisë varet nga pjesëmarrja qytetare. “Demokracia jonë bëhet më e fortë me pjesëmarrjen e secilit”, ka përfunduar Abdixhiku. / Telegrafi /
Go to News Site