Collector
Voton Eliza Hoxha: Sot është dita e demokracisë për Kosovë që duam | Collector
Voton Eliza Hoxha: Sot është dita e demokracisë për Kosovë që duam
Telegrafi

Voton Eliza Hoxha: Sot është dita e demokracisë për Kosovë që duam

Këngëtarja, arkitektja dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kryer sot obligimin e saj qytetar në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që po mbahen në vend. Hoxha ka votuar në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, ndërsa më pas ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale disa fotografi nga procesi i votimit. Përmes një postimi, ajo ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e votës për të ardhmen e vendit. “Sot është dita e demokracisë. Andaj, voto për demokracinë, për Kosovën që duam, për të ardhmen, zhvillimin dhe shpresën! Për fëmijët”, ka shkruar Eliza Hoxha krahas fotografive të publikuara. Për dallim nga shumë figura publike që kanë votuar vetëm si qytetarë, Eliza Hoxha është gjithashtu pjesë e garës zgjedhore. Ajo kandidon në këto zgjedhje nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me numrin 21 në listën zgjedhore. Eliza Hoxha ka një përvojë të gjatë në politikë, pasi ka qenë deputete e zgjedhur në tri legjislatura të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në dhjetor ajo nuk arriti të sigurojë një mandat të ri parlamentar. Tani, artistja dhe arkitektja e njohur po provon për herë të dytë rikthimin në Kuvend, duke kërkuar besimin e qytetarëve në zgjedhjet e sotme. /Telegrafi/

Go to News Site