Telegrafi
Një mjet lundrues është bllokuar nga Policia Kufitare në zonën e Borshit, pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë të përcaktuar për pushuesit. Sipas autoriteteve, drejtuesi i mjetit kishte hyrë në zonën ku po laheshin qytetarët, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Për shkeljen e konstatuar, ndaj tij u vendos një gjobë prej 5 mijë euro, ndërsa mjeti lundrues u bllokua. “Shkeli perimetrinë e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare bllokon mjetin lundrues dhe ndëshkon drejtuesin me masë administrative 500.000 lekë të rinj. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Gjatë patrullimit në zonën e quajtur “Krorëz”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre”, thuhet në njoftim. Tutje bëhet e ditur se në përfundim të veprimeve administrative, ndaj drejtuesit të mjetit lundrues u vendos masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues. “Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit. Gjithashtu, në zonat ku ende nuk janë vendosur perimetrat e sigurisë, drejtuesit e mjeteve lundruese nuk duhet të afrohen në bregdet apo të kryejnë manovra hyrje-daljeje në vende ku ka pushues, me qëllim shmangien e çdo rreziku për jetën dhe sigurinë e tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/
Go to News Site