Telegrafi
Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen dhe sjelljen e tyre gjatë procesit zgjedhor të së dielës, duke vlerësuar kulturën demokratike dhe përgjegjësinë qytetare të treguar në mbarë vendin. Në një reagim pas përfundimit të votimit, Hamza tha se qytetarët dëshmuan edhe një herë besimin e tyre në fuqinë e votës dhe në të drejtën demokratike për të vendosur për të ardhmen e vendit. “Qytetarët e Kosovës treguan edhe një herë qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Në një proces të qetë e dinjitoz, ata dëshmuan se besojnë në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi ai. Hamza shprehu mirënjohje edhe për institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Kreu i PDK-së theksoi se në këtë fazë prioritet mbetet ruajtja e integritetit të procesit dhe respektimi i plotë i vullnetit të qytetarëve, duke bërë thirrje që çdo votë të numërohet me kujdes dhe transparencë. “Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund”, u shpreh Hamza. Në fund, ai falënderoi të gjithë qytetarët për kontributin e tyre në një ditë të rëndësishme për demokracinë e Kosovës, duke theksuar se besimi në proceset demokratike mbetet themel i stabilitetit institucional dhe zhvillimit të vendit. /Telegrafi/
Go to News Site