Collector
Goditet rrjeti i mashtrimeve kibernetike në Prishtinë, ndalohen dy persona - dy të tjerë në arrati | Collector
Goditet rrjeti i mashtrimeve kibernetike në Prishtinë, ndalohen dy persona - dy të tjerë në arrati
Telegrafi

Goditet rrjeti i mashtrimeve kibernetike në Prishtinë, ndalohen dy persona - dy të tjerë në arrati

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Njësitin e Krimeve Kibernetike, ka realizuar një aksion të gjerë që ka rezultuar me ndalimin e dy personave të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi”. Sipas komunikatës së përbashkët, janë zbatuar tre urdhërkontrolle në lokacione të ndryshme në Prishtinë, gjatë të cilave janë sekuestruar prova materiale që lidhen me rastin, përfshirë një veturë, telefona mobilë, SIM-karta dhe fletëpagesa bankare. Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët aktualisht ndodhen në arrati. Sipas Prokurorisë, dyshimet janë se nga muaji dhjetor 2025, të dyshuarit kanë vepruar në bashkëpunim duke përdorur metoda të mashtrimit online për përfitim të kundërligjshëm financiar. “Ekziston dyshimi se të dyshuarit në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve mes vete, nga muaji Dhjetor 2025 e tutje, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, i nxisin të dëmtuarit që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre”, thuhet në komunikatë. Sipas hetimeve, qytetarët kanë pranuar mesazhe SMS që paraqiteshin si njoftime zyrtare nga banka të ndryshme komerciale, përfshirë NLB Bankën, TEB Bankën dhe Raiffeisen Bankën. Në mesazhe thuhej se në llogaritë e tyre ishte identifikuar “aktivitet i dyshimtë” dhe kërkohej verifikim përmes një linku të bashkëngjitur. “Pas klikimit në këto linqe, të dëmtuarve u është hapur një web-faqe në të cilën është kërkuar të fusin të dhënat bankare, e më pas të njëjtëve u janë tërhequr para nga llogaritë e tyre bankare nga ana e të pandehurve”, thuhet më tej. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në rajonin e Prishtinës janë identifikuar rreth 150 viktima, ndërsa dëmi financiar vlerësohet rreth 50 mijë euro. Autoritetet theksojnë se numri i viktimave dhe vlera e dëmit mund të rriten, pasi pritet që të raportohen raste edhe nga rajone të tjera. Prokuroria ka bërë të ditur se rasti po trajtohet me prioritet dhe se hetimet do të vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi kibernetik. / Telegrafi /

Go to News Site