Telegrafi
Prizreni nikoqir i një turneu ndërkombëtar, mbi 250 sportistë dhe delegacione nga disa vende do të marrin pjesë Prizreni do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të veçanta sportive dhe kulturore gjatë periudhës 10–14 qershor 2026, kur do të organizohet një turne ndërkombëtar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prizrenit. Ngjarja do të mbledhë ekipe veterane, sportistë, delegacione dhe mysafirë nga vende të ndryshme, me synimin për të promovuar paqen, miqësinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar përmes sportit, si dhe për të prezantuar vlerat historike, kulturore dhe turistike të qytetit të Prizrenit. Organizatorët bëjnë të ditur se turneu synon të shndërrohet në një traditë të përvitshme, duke e pozicionuar Prizrenin në hartën e aktiviteteve të rëndësishme sportive ndërkombëtare. Ekipe nga Kosova, Turqia dhe Bosnja e Hercegovina Në turne do të marrin pjesë ekipe veterane nga Kosova, Turqia dhe Bosnja e Hercegovina. Nga Turqia pritet pjesëmarrja e pesë skuadrave, ndërsa një nga mysafirët më të veçantë do të jetë Ekipi i Futbollit i Parlamentit të Turqisë (Meclis Takımı), i përbërë nga deputetë dhe politikanë turq. Sipas organizatorëve, pjesëmarrja e tyre përfaqëson një shembull të diplomacisë sportive dhe forcimit të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Përveç ekipeve pjesëmarrëse, në Prizren pritet të qëndrojnë edhe delegacione diplomatike, përfaqësues institucionesh, biznesmenë dhe mysafirë të tjerë nga vendi dhe rajoni. Impakt në turizëm dhe ekonomi Ardhja e më shumë se 250 futbollistëve dhe delegacioneve të tyre pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e turizmit dhe zhvillimin ekonomik lokal. Sektori i hotelerisë, gastronomisë dhe bizneset e tjera vendore pritet të përfitojnë nga numri i madh i vizitorëve gjatë ditëve të turneut. Organizatorët vlerësojnë se kjo ngjarje do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe investimi mes pjesëmarrësve. Program i pasur sportiv dhe kulturor Aktivitetet do të nisin më 10 qershor me ceremoninë zyrtare të hapjes dhe pritjen e delegacioneve pjesëmarrëse. Më 11 qershor do të zhvillohen ndeshjet e fazës së grupeve, ndërsa më 12 qershor ekipet ndërkombëtare do të vizitojnë qendrat historike të Prizrenit. Në mbrëmje është paraparë një gala mbrëmje me program kulturor dhe gastronomik. Gjysmëfinalet do të luhen më 13 qershor, ndërsa finalja e madhe e turneut do të zhvillohet më 14 qershor. Po atë ditë është planifikuar edhe një ndeshje miqësore ndërmjet Ekipit të Parlamentit të Turqisë dhe përfaqësuesve të Parlamentit të Kosovës ose Kuvendit Komunal të Prizrenit. Pjesëmarrje e personaliteteve politike dhe institucionale Në këtë aktivitet ndërkombëtar pritet të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryetari i klubit, Fitim Damka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ajlen Shishko-Hajdari, si dhe ministrja në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Emilija Rexhepi. Përmes kësaj ngjarjeje, organizatorët synojnë ta promovojnë Prizrenin si qytet të sportit, kulturës dhe mikpritjes, duke kombinuar historinë, traditën dhe futbollin në një festival ndërkombëtar, me mesazhin se sporti mbetet një nga urat më të fuqishme që lidh popujt dhe kulturat.
Go to News Site