Collector
Përbërësit në kozmetikë që mund t’ju dëmtojnë lëkurën gjatë ditëve të nxehta | Collector
Përbërësit në kozmetikë që mund t’ju dëmtojnë lëkurën gjatë ditëve të nxehta
Telegrafi

Përbërësit në kozmetikë që mund t’ju dëmtojnë lëkurën gjatë ditëve të nxehta

Retinoli, acidet për piling dhe kremrat e rëndë mund ta bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj diellit, skuqjes, njollave dhe irritimeve. Me ardhjen e ditëve gjithnjë e më të ngrohta, nuk ndryshojnë vetëm veshja dhe rutina jonë e përditshme, por edhe nevojat e lëkurës. Më shumë diell, temperatura më të larta dhe lagështia më e madhe e ajrit ndikojnë në mënyrën se si lëkura reagon ndaj përbërësve të caktuar në kozmetikë. Ndërsa disa përbërës aktivë janë të domosdoshëm gjatë gjithë vitit, si faktori mbrojtës ndaj diellit dhe antioksidantët, ka edhe të tillë që gjatë verës duhet të përdoren me kujdes ose, në disa raste, të hiqen përkohësisht nga rutina e kujdesit. Dermatologët këshillojnë që gjatë verës të zgjedhim formula më të lehta dhe të shmangim përbërësit aktivë agresivë, të cilët mund ta rrisin ndjeshmërinë e lëkurës ndaj diellit ose të shkaktojnë irritime. Prandaj, në vijim po sjellim listën e përbërësve që është më mirë t’i lini për muajt më të ftohtë, transmeton Telegrafi. Retinoli Retinoli konsiderohet standard i artë në luftën kundër rrudhave, hiperpigmentimit dhe akneve, por gjatë verës mund të jetë shumë intensiv për lëkurën. Këta derivatë të vitaminës A mund ta rrisin ndjeshmërinë e lëkurës ndaj dritës, që do të thotë se ekspozimi në diell mund të shtojë dukshëm rrezikun për skuqje, tharje, lëkurëzim dhe njolla. Nëse nuk dëshironi ta largoni plotësisht retinolin nga rutina juaj, përdoreni vetëm në mbrëmje dhe patjetër kombinojeni me mbrojtje të lartë nga dielli. AHA, si acidi glikolik, laktik dhe mandelik Acidet alfa hidroksile janë shumë të dobishme për piling kimik dhe për njëtrajtësimin e ngjyrës së lëkurës. Megjithatë, gjatë verës ato mund ta bëjnë lëkurën shumë më të ndjeshme ndaj rrezatimit ultraviolet. Përdorimi i rregullt i AHA pa mbrojtje të duhur nga dielli mund të çojë në dëmtim të lëkurës dhe në shtim të hiperpigmentimit. Nëse megjithatë dëshironi të përdorni një eksfoliant të butë, zgjidhni PHA, të cilat janë më të buta dhe më të përshtatshme për lëkurën e ndjeshme. Benzoil peroksidi Ky përbërës përdoret shpesh për trajtimin e akneve, sepse ka veprim antibakterial dhe kundër inflamacionit. Edhe pse është efektiv, benzoil peroksidi mund ta thajë lëkurën dhe ta rrisë rrezikun për irritime gjatë ekspozimit në diell. Gjatë verës, është më mirë të përdoren përbërës më të butë, si acidi salicilik ose niacinamidi. Edhe këta ndihmojnë te lëkura e prirur për papastërti dhe akne, por pa pasoja aq agresive. Kremrat me përqindje të lartë vajrash Gjatë verës, lëkura djersitet më shumë dhe është më e prirur për grumbullim të yndyrës natyrale. Për këtë arsye, kremrat e rëndë hidratues dhe balzamet mund t’i bllokojnë poret dhe të shkaktojnë puçrra. Në vend të formulave të pasura që përdoren zakonisht gjatë dimrit, zgjidhni xhel kremra, emulsione ose fluide të lehta, të cilat i japin lëkurës lagështinë e nevojshme pa e rënduar atë. /Telegrafi/

Go to News Site